Sejko: Një garanci për sfidat që na presin

Banka e Shqipërisë do të bashkëpunojë me qeverinë zvicerane për të forcuar ekonominë dhe sistemin financiar të vendit.

Për këtë qëllim këtë të hënë u nënshkrua edhe marrëveshja mes Guvernatorit Gent Sejko dhe Sekretariatit të Shtetit Zviceran për Çështjet ekonomike.

Sipas Sejkos, ky është një hap kyç drejt përmirësimit të politikave monetare dhe financiare.

“Bashkëpunimi me SECO-n dhe Programi i Asistencës Bilaterale dhe Ngritjes së Kapaciteteve, është një garanci se do të jemi në gjendje t’i përgjigjemi me sukses sfidave që na presin, duke kontribuuar në zhvillimin e sektorit financiar dhe të ekonomisë së Shqipërisë në mënyrë të qëndrueshme, pa cenuar stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar”.

Edukimi financiar, digjitalizimi, si dhe inovacioni financiar janë tre çështje të rëndësishme që kanë zënë vend në agjendat e bankave qëndrore. 

“Qeveria zvicerane do të vijojë të mbështesë me asistencë teknike Bankën e Shqipërisë edhe për 5 vitet e ardhshme. Në fazën e tretë të kësaj marrëveshje ne do të fokusohemi tek edukimi financiar dhe mbi të gjitha për të bërë shërbimet financiare sa më të aksesueshme nga e gjithë popullata”, tha ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri.

“Ne synojmë të sigurojmë një sistem avangardë/bashkëkohor të pagesave që është i aftë të ofrojë zgjidhje të shpejta, eficente dhe me kosto minimale për shërbimet financiare tradicionale edhe ato novatore. Përmes tij dhe edukimit financiar, Banka e Shqipërisë synon të promovojë dhe të rrisë përfshirjen financiare të popullatës. Bashkëpunimi ndërkombëtar është jetik në kohën aktuale, kur sfidat dhe ndikimet janë globale”, u shpreh Guvernatori i BSH, Gent Sejko.

Sekretariati i Shtetit për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe Programi i tij i Asistencës Bilaterale dhe Ngritjes së Kapaciteteve (BCC) është një platformë që e shtrin bashkëpunimin me tetë banka qëndrore në ekonomitë në zhvillim.

Tv Klan