Sejko: Inflacioni në rënie, ekonomia në rritje

Banka e Shqipërisë ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.75 %. Guvernatori Gent Sejko e arsyetoi këtë vendim me efektet pozitive të politikës monetare.

“Inflacioni i çmimeve të konsumit erdhi në rënie gjatë dy muajve të fundit të vitit 2022. Në aspektin e shportës, rënia e inflacionit pasqyroi rënien e çmimeve të naftës dhe të disa artikujve ushqimorë”, tha Sejko.

Çmimet pritet të bien edhe gjatë tremujorëve të ardhshëm.

“Përditësimi i parashikimeve sugjeron se inflacioni do të bjerë gradualisht gjatë vitit 2023 dhe do të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024”, tha Sejko.

Megjithatë presionet inflacioniste vijojnë të mbeten të larta.

Normalizimi i mëtejshëm i qëndrimit të politikës monetare në të ardhmen është i nevojshëm për të garantuar kthimin e inflacionit në objektiv”, u shpreh ai.

Për Bankën e Shqipërisë rritja ekonomike e vendit parashikohet të mbetet në territor pozitiv.  Por, ritmi i rritjes ekonomike pritet të vijë në ngadalësim të lehtë gjatë vitit 2023.

Tv Klan