“Rritja me 4.2% krahasuar me 2022 ose 127 mijë llogari aktive”

Numri total i llogarive bankare në fund të vitit 2023 arriti në 3.24 milionë, me një rritje prej 4.2% krahasuar me vitin 2022 sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë. Sipas shifrave zyrtare numri i llogarive aktive në sektorin bankar është zgjeruar me afërsisht 127 mijë të tilla.

Llogaritë e individëve rezidentë arritën në afërsisht 2.94 milionë, me një rritje vjetore prej 4.4%. Ndërkohë gjatë vitit 2023 numri i llogarive të bizneseve rezidente pësoi rënie me 3%, pasi arriti numrin më të lartë në vitin 2022, me 239 mijë llogari.

Numri i llogarive të jorezidentëve u rrit me ritme të larta edhe vitin e kaluar, me 20% më shumë krahasuar me 2022, pasi arriti në më shumë se 60 mijë dhe llogaritë jorezidente përbëjnë rreth 1.9% të numrit të përgjithshëm të llogarive në bankat shqiptare.

Banka e Shqipërisë vlerëson se numri i individëve në moshë madhore që zotërojnë një llogari bankare ka arritur në 70%, nga rreth 40% që vlerësohej ky tregues në 2017.

Në tremujorin e dytë të këtij viti, do të hyjë në fuqi ligji “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike” që u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë në muajin Dhjetor. Ky ligji i ri pritet të ndikojë ndjeshëm në shtimin dhe përdorimin e llogarive bankare nga shqiptarët.

Klan News