Pas një rënie në muajt Janar-Shkurt, besimi i bizneseve dhe konsumatorëve në ekonomi ka shfaqur shenja përmirësimi në Mars. Banka e Shqipërisë bëri të ditur se Treguesi i Ndjesisë Ekonomike shënoi një kthesë rritëse me 2,5 pikë në muajin e kaluar, ku ndikim pozitiv patën sektorët e industrisë, tregtisë, shërbimeve, si dhe rritja e besimit konsumator.
Të ndara sipas sektoreve, në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë për Marsin, treguesi i besimit të industrisë u rrit me 3.6% duke bërë që niveli i tij të qëndroje aktualisht 3.5% mbi mesataren historike. Rritja u ndikua nga vlerësimet e rritura të bizneseve për prodhimin industrial aktual si dhe nga pritjet më optimiste për porositë nga eksportet në të ardhmen.
Ndërsa treguesi i besimit në shërbime u rrit me 6.4% në Mars dhe aktualisht qëndron në 12.3 pikë përqindje mbi mesataren historike vihet re në raportin e Bankës së Shqipërisë. Në rritjen e besimit në shërbime kontribuuan vlerësimet më optimiste të bizneseve si për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre, si dhe për nivelin aktual të kërkesës, për shkak edhe te flukseve turistike.
Gjithashtu vlera pozitive ka shënuar edhe treguesi i besimit në tregti gjate Marsit të këtij viti, duke rikuperuar rënien e muajve Janar dhe Shkurt. Siç vihet re rritja në Mars ishte me 2.7%, ku ndikim në rritjen mujore patën kryesisht vlerësimi më optimist i bizneseve dhe sektori i turizmit.
Treguesi i besimit konsumator regjistroi rritje me 1.4 pikë përqindje në muajin Mars, duke u ngritur përsëri mbi nivelin e mesatares historike. Gjithashtu në raportin e Bankës së Shqipërisë evidentohet se konsumatorët vlerësuan përmirësim e situatës se tyre financiare dhe situatën ekonomike të vendit pozitivisht, duke shënuar 1.4% të treguesit të besimit konsumator.
Klan News