Vlera e transaksioneve 64.1 mld Lekë, 26.6% më shumë se në 2022

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2023 pagesat me kartë në terminalet e pikave elektronike të shitjes arritën në pothuajse 14.5 milionë, me një rritje prej 35% krahasuar me vitin 2022.

Banka Qendrore evidenton se për vitin 2023 volumi i pagesave në në këto terminale përbënte 14.5% të vlerës totale të veprimeve me karta, nga 13.9% që ishte pesha e tyre një vit më parë.

Në vlerë transaksionesh pagesat me kartë përgjatë vitit që lamë pas arritën në 64.1 miliardë Lekë ose 26.6% më shumë krahasuar me 2022.

Vitet e fundit pagesat me karta po nxiten edhe nga rritja rekord e turizmit hyrës, pasi kërkesa nga turistët e huaj për të paguar me kartë po shtyn një numër më të madh biznesesh të pranojnë pagesa me këto instrumente.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të vitit 2023 numri i kartave bankare aktive arriti në 1.43 milionë, në rritje me 4.6% krahasuar me një vit më parë. Numri i kartave të debitit arriti në 1.24 milionë, në rritje vjetore me 5%.

Verën e kaluar, Komisioni Europian i rekomandoi Shqipërisë vendosjen e një shume tavan për pagesat me para fizike, pasi ndihmon ne hetimin e pastrimit të parave. Edhe kryemistri Rama ka kërkuar sa më shpejt dixhitalizimin e sistemit të pagesave, madje edhe për pensionet.

Gjithashtu për vendosjen e një tavani për pagesat cash është shprehur prej vitesh edhe Shoqata Shqiptare e Bankave. Sipas kësaj të fundit, ulja e parasë fizike në qarkullim dhe në transaksionet tregtare është një sfidë dhe do të ndihmonte në uljen e evazionit fiskal dhe në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit financiar.

Klan News