Dy ditë pas nismës së 28 deputetëve socialistë për shkarkimin nga detyra të anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Arben Malaj, për shkelje të Kodit të Etikës, Banka Qendrore ka bërë një deklaratë për shtyp, duke sqaruar rastet se kur shkelet ky kod.

“Kodi i Etikës përcakton shprehimisht se çdo veprimtari tjetër e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës, e cila kryhet jashtë detyrave të tij të përcaktuara në Ligjin për Bankën e Shqipërisë, nuk duhet të ketë ndikim negativ mbi detyrimet që ai ka ndaj Bankës së Shqipërisë dhe nuk duhet të dëmtojë imazhin e saj.”

Institucioni i Bankës së Shqipërisë nuk përmend në mënyrë direkte z. Malaj, por kujton se është vetëm një rast përjashtues kur lejohet shprehja e mendimit personal të anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës së bankës: ai i artikujve shkencorë.

“Kodi i Etikës parashikon vetëm një rast kur anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës i lejohet të ndajë qëndrimet e veta nga ato të Bankës së Shqipërisë. Në publikimin e artikujve shkencorë, apo akademikë, anëtari mund të qartësojë se artikulli mund të mos përfaqësojë qëndrimin zyrtar të Këshillit Mbikëqyrës apo të Bankës së Shqipërisë.”

Banka Qendrore e mbyll reagimin duke thënë se qëndrimi i saj lidhur me këto debate është respektimi i Kodit të Etikës dhe kufizimi i anëtarëve nga veprimtaritë politike dhe publike, ndërsa thekson se këtë qëndrim ia ka komunikuar anëtarëve të bordit në mënyrë të vazhdueshme.

Në argumentet për propozimin e shkarkimit të Arben Malajt, socialistët shprehen se ai ka dhënë opinione politike në mënyrë të veçantë përpara zgjedhjeve lokale, duke rënë ndesh me Kodin e Etikës së Bankës. Por edhe pse ligji për Bankën e Shqipërisë cakton se duhet të jetë Këshilli Mbikëqyrës, i cili inicion shkarkimin për çështjen e Kodit të Etikës, Banka Qendrore zyrtarisht nuk ka marrë një veprim të tillë.

Gjatë një reagimi të bërë në Facebook pas këtij qëndrimi, Malaj numëron rastet e fjalimeve publike të cilat kanë patur si qëllim reformat në ekonomi dhe stabilitetin financiar të vendit. Më herët ai ka akuzuar kreun e Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla se e ka kërcënuar pas mospranimit nga Malaj të ndërhyrjeve që kishte tentuar nga deputeti socialist.

Tv Klan