“Ekonomia në rritje, inflacioni do të vijë në ulje në 2024”
Rritja e normës bazë të interesit me 0.25% duke e çuar atë në nivelin 3.25% nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë pak ditë më parë arsyetohet me faktin se ishte e nevojshme për të kthyer në ekuilibër kërkesën dhe ofertën për mallra e shërbime.
“Rritja e normës bazë të interesit nga Këshilli Mbikqyrës në mbledhjen e fundit të tij u konsiderua një hap i nevojshëm për të garantuar kthimin e inflacionit në objektiv në gjysmën e dytë të vitit 2024. Arsyeja pse u mor ky vendim është sepse në gjykimin tonë kërkesa agregate në ekonomi mbetet relativisht e fortë edhe e qëndrueshme. Në këtë kontekst kjo kërkesë është burim presionesh inflacioniste. Për të qenë më i detajuar ndërkohë që inflacioni mesatar i tremujorit të tretë ishte në nivelin 4.1% inflacioni bazë shënoi nivelin 4.2 % duke mbetur dukshëm mbi objektivin tonë të inflacionit prej 3%.”
Në kushtet kur presionet e brendshme mbi çmimet, veçanërisht nga tregu i punës, shfaqen të qëndrueshme Banka e Shqipërisë nënvizon se ekonomia e vendit do të ketë një trend rritës.
“Pritjet për të ardhmen mbetën pozitive. Në analizat dhe parashikimet tona ne mendojmë që ekonomia shqiptare do të vazhdojë të ketë një trend rritje dhe zhvillimi si në vitin 2024, po ashtu edhe në horizontin më të tejshëm kohor. Ne presim që duke gjykuar mbi situatën e përgjithshmë financiare të bizneseve dhe duke gjykuar mbi kushtet ende të favorshme dhe ende stimuluese të financimit në tregun e brendshëm, ekonomia shqiptare do të vazhdojë të shënojë rritje ç’ka do të mundësojë rritje të punësimit, rritje të pagave.”
Parashikimet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se inflacioni do të vijë në rënie gjatë tremujorëve në vijim, duke u kthyer në objektivin prej 3%, duke filluar nga gjysma e dytë e vitit 2024.
Klan News