Banka e Shqipërisë kërkon që qeveria të njohë efektin që do të kenë detyrimet e buxhetit ndaj projekteve Partneritet Publik-Privat në rritjen e borxhi publik. Kjo është hera e parë që institucioni i bankës qendrore shpreh shqetësimin për rreziqet që kanë angazhimet e programeve PPP. Guvernatori Gent Sejko ndodhej në komisionin e Ekonomisë për dhënien e mendimit për buxhetin e 2019-s, ku kërkoi edhe vendosjen e një tavani buxhetor për këto kontrata në ligjin bazë të buxhetit.

“Shqipëria duhet të njohë efektin që do të kenë kontratat PPP në borxhin publik në mënyrë sa më realiste”, tha Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë.

Kreu i bankës qendrore nuk përkrahu as idenë e përjashtimeve nga taksat për disa sektorë të caktuar.

“Banka e Shqipërisë vlerëson se, përpos stabilitetit të regjimit tatimor, një tipar tjetër i dëshirueshëm i politikës së taksave është dhe thjeshtimi i sistemit, në drejtim të reduktimit të përjashtimeve tatimore. Me përjashtim të rastit të mbrojtjes së shtresave në nevojë.”

Por një tjetër shqetësim i Bankës së Shqipërisë është edhe deficiti që kanë krijuar skemat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

“Banka e Shqipërisë konstaton se deficiti i skemave të sigurimeve shoqërore, sigurimeve shëndetësore dhe sigurimeve të tjera sociale, është rreth 4.6% e PBB-së, ose 2.6 herë më i lartë se deficiti i përgjithshëm buxhetor.”

Pavarësisht rreziqeve që sheh në buxhetin e vitit të ardhshëm, Banka Qendrore vlerësoi nismën e qeverisë për uljen e borxhit publik dhe po ashtu parimin për mosndryshimin e regjimeve tatimore. Ulja e tatimit të dividentit sipas Bankës, do të shtojë investimet vendase dhe të kompanive të huaja që operojnë në Shqipëri.

Tv Klan