Sejko: Reduktojmë koston e kredisë për bizneset dhe individët

Banka e Shqipërisë ka ulur në nivele historike normën bazë të interesit të Lekut, duke çuar atë në 0.5%, nga 1% që ishte më parë. Ulja e fortë me 0.5% është hera e dytë që ndodh në historinë e monedhës kombëtare, pas Janarit të 2009-s kur banka mori këtë lëvizje në kulmin e krizës ekonomike globale.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës Qendrore uli edhe normën e interesit të kredisë njëditore nga 1.9 në 0.9%, ndërsa mbajti të pandryshuar interesin për depozitat një ditore. Kjo politikë lehtëson kostot për dhënien e kredive ndaj bankave të nivelit të dytë.

Guvernatori Gent Sejko tha se vendimi u morr duke patur përballë një situatë të vështirë ekonomike, ku përballen bizneset dhe familjet shqiptare, ku ndikimi është i dyfishtë si në anën e rënies së prodhimit dhe të ardhurave nga puna, edhe në uljen e kërkesës për mallra të cilat do të sjellin probleme me likuiditetin e biznesit.

“Ulja e normës bazë të interesit është një masë e nevojshme për reduktimin e kostos së huamarrjes së re, për reduktimin e kostos së shërbimit të borxhit ekzistues dhe për lehtësimin e qarkullimit të likuiditetit në bizneset dhe familjet shqiptare. Lehtëson presionin mbi bilancet financiare të operatorëve ekonomikë, duke iu dhënë atyre më shumë kohë, hapësirë dhe frymëmarrje për përballimin e goditjes.”

Kreu i Bankës Qendrore tha se është adoptuar strategjia operacionale e injektimit të likuiditetit në sistemin bankar, çka bën që të gjithë bizneset, familjet dhe sektori publik të mund të tërheqin shumën që kërkojnë. Gent Sejko theksoi se bankat janë të shëndetshme.

“ Shqipëria gëzon shëndet të mirë ekonomik dhe financiar; parametrat e funksionimit të ekonomisë dhe të sektorit bankar janë të shëndetshëm; rezervat e likuiditetit dhe të kapitalit të sektorit bankar shqiptar janë të larta.”

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë do të monitorojë situatën ekonomike të shkaktuar nga përhapja e pandemisë Covid-19 dhe siguron se është e gatshme të përdorë të gjithë instrumentet operacionalë për të zvogëluar pasojat në ekonomi dhe sistemin financiar.

Tv Klan