Pritet rritje e lehtë e kredive me probleme në 2021

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha se ekonomia shqiptare ka nisur rikuperimin gjatë tremujorit të tretë, ndërsa në muajt e fundit ecuria ekonomike është më e ngadaltë për shkak të masave kufizuese. Në përfundim të mbledhjes së fundit për këtë vit të Këshillit Mbikëqyrës, Gent Sejko tha se dalja e vaksinës jep shpresë për rikthimin në normalitet të ekonomisë vitin e ardhshëm, edhe pse rreziqet mbeten në ecurinë e efektivitetit të saj dhe përhapjes së epidemisë.

“Rritja e kërkesës do të shoqërohet me rritje të punësimit, pagave dhe kostove të prodhimit. Zhvillimet e pritura janë të rrethuara nga pasiguri dhe rreziqe nga përkeqësimi i situatës pandemisë.”

Banka Qendrore pret një rritje të kredive të këqija vitin e ardhshëm, por pa rrezik për stabilitetin e sektorit financiar. Guvernatori Sejko tha se huatë me probleme kanë frenuar rënien këtë vit edhe për shkak të efekteve që ka dhënë pandemia te qytetarët e bizneset.

“Do të ishin në nivel më të ulët pa tërmetin e pandeminë, mos rritja e këtij treguesi është pozitive. Mund të ketë një rritje në 2021 , por në skenarët tanë kjo rritje nuk do të prekte qëndrueshmërinë e sektorit.”

Këshilli i Bankës së Shqipërisë e sheh vitin që po lemë pas si të vështirë dhe me një tkurrje të aktivitetit ekonomik, por sinjalet për konsumin dhe kërkesën për mallra të periudhës së dytë të vitit bënë që norma bazë e interesit të lekut të mbetet 0.5%. Në të ardhmen Banka Qendrore do të ulë normën nëse ka rënie të konsumit ose rritje të interesave të kredisë.

Tv Klan