Banka e Shqipërisë kërkon që të zgjidhet sa më parë situata politike ku ndodhet vendi në mënyrë që të mos goditet aktiviteti ekonomik i vendit.

Guvernatori i Bankës Qendrore Gent Sejko ishte duke lexuar deklaratën e Këshillit Mbikëqyrës kur tha se zgjatja e kësaj krize dëmton klimën e biznesit duke dhënë pasoja në zhvillimin dhe rritjen e ekonomike. Kjo është hera e parë pas disa muajsh që Këshilli Mbikëqyrës vendos një konstatim të tillë në deklaratën e politikës monetare.

Për Bankën e Shqipërisë forcimi i monedhës kombëtare në këtë periudhë, duke rrëzuar euron dhe dollarin lidhet me efekte sezonale e se për momentin banka nuk e sheh të arsyeshme ndërhyrjen, pasi nuk përbën rrezik për nivelin e inflacionit.

Aktualisht euro këmbehet me 122 lekë dhe dollari me 108. Një vit më parë Banka Qendrore injektoi një program ndërhyrjeje në treg me qëllim frenimin e rënies së euros, program i cili ende nuk është pezulluar dhe mund të përdoret në momentin që kursi do të ndikojë te inflacioni vjetor. Këshilli Mbikëqyrës edhe në këtë mbledhje vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit të lekut në 1%, duke vlerësuar se kushtet për dhënien e kredisë nga ana e bankave në këtë periudhë janë të kënaqshme.

Tv Klan