E ardhmja e Gianluigi Buffon do jetë larg Juventusit duke nisur nga fundi i sezonit aktual. Gardiani legjendar, 43-vjeçar ka konfirmuar divorcin me skuadrën torineze në fundin e këtij sezoni, por duke mos zbuluar hapin e radhës në karrierën e tij.

Buffon e nisi karrierën te Parma, ku luajti 6 sezone, për t’u transferuar në verën e 2001-shit te Juventusi, ku qëndroi për 17 sezone.

Në verën e 2018-ës gardiani italian u largua për një eksperiencë një vjeçare te Paris Saint Germain, ndërsa më pas u rikthye sërish në Torino për t’i shtuar edhe dy sezone eksperiencës së tij në portën bardhezi. Në 19 sezone me fanellën bardhezi, italiani ka fituar trofe të shumtë, por nuk i’a doli të ngrejë dot lart kupën e Ligës së Kampionëve.

Buffon është shpallur kampion bote me Italinë në verën e 2006-ës, teksa numëron plot 693 ndeshje në Serinë A, duke vendosur një rekord që vështirë se do të thyhet nga futbollistë të tjerë në të ardhmen.

Klan News