Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Kryeministri i Qeverisë Kosovare në ekzil Bujar Bukoshi ka vizituar sot kosovarët e vendosur në kampin e Rrashbullit. Ai ka vizituar çadrat dhe ambjentet duke parë se si janë sistemuar bashkëatdhetarët e tij dhe ka biseduar gjatë me ta duke i siguruar se po bën bisedime jo vetëm me perfaqesuesit e politikës ndërkombëtare por edhe ato të NATO-s për të realizuar kthimin e tyre në Kosovë.

Ai komentoi gjithashtu se hapja e procesit të Hagës ndaj Millosheviçit dhe bashkëpunëtorëve të tij për krimet e kryera është një kthesë e madhe e kësaj ngjarje dhe ku do të jetë edhe fundi i Serbisë. Ndërsa përsa i përketë takimit Rugova-Thaçi ai është prononcuar për TV Klan.  

Gazetarja:- Cili është komenti juaj për takimin e djeshëm që u anulua Rugova-Thaçi?

Bujar Bukoshi:- “Nuk kam komente nuk e di se është anuluar. Unë e di se zoti Rugova dhe Thaçi gjenden në Evrope në Paris. Ka qenë angazhuar ose është tentuar të angazhohet një takim më tepër nuk di. Por mendoj se do të behet ai takim”.

Gazetarja:- Si e besoni fatin e Kosovës, si do të zgjidhet?

Bujar Bukoshi:- “Tani pas që regjimi i Beogradit dhe Millosheviçi është akuzuar për krime të luftës mendoj se do të ketë një kthesë dhe një shpejtim i zgjidhjes së krizës së Kosovës dhe shpresojmë se së shpejti gjithë do të kthehemi”.

Gazetarja:- Qëllimi i vizitës tuaj në këtë kamping?

Bujar Bukoshi:- “Të vizitoj njerëzit të shpreh solidarizimin me dhimbjet me ta dhe të interesohem si jetohet, të informohem për problemet të cilat po përpiqem”.

Gazetarja:- Si e shihni gjendjen e tyre?

Bujar Bukoshi:- “Po në krahasim me situatat e tjera është e kënaqshme, shtoj edhe mirënjohjen dhe falenderimin e organizatorëve e autoriteteve që kanë organizuar këtë jetë këtu. Por ne natyrisht që jemi të brengosur dhe me njerëzit që janë në Kosovë, ata e kanë shume të vështirë”.

Më pas Bujar Bukoshi ka vizituar edhe kampin e Mamurrasit./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj