I mbledhur për të zgjedhur strukturat e reja drejtuese, Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike votëbesoi në krye të tij, ish-Presidentin Bujar Nishani, të cilit Lulzim Basha i besoi drejtimin e këtij forumi. 353 anëtarët e Këshillit rikonfirmuan në pozicionin e nënkryetarit të kësaj force politike, dy drejtuesit aktualë; Edi Palokën dhe Edmond Spahon. Përpara anëtarëve të këtij forumi, Basha foli për sfidat që e presin partinë e drejtuar prej tij, kur tha se ndryshimi i politikës mbetet një mision kombëtar.

“Roli ynë, roli i demokratëve, i Partisë Demokratike në këtë gjendje është kritik. Nuk është aspak e ekzagjeruar të them se sot para nesh shtrohet një detyrë historike. Nga ne sot kërkohet një ndryshim transformues, edhe më i vështirë se ai në fillim të viteve 1990-të.”

Me ekipin e ri drejtues, i bindur është se do të largojë Kryeministrin Rama, të cilin e akuzoi se e ka futur vendin në një krizë të thellë politike dhe ekonomike. Në përmbushjen e këtij misioni u shpreh se i nevojitet bashkimi i qytetarëve, të cilët i ftoi të bëhen pjesë e protestave të thirrura nga opozita.

“Nëse ka një pyetje me të cilën ndeshem ditë për ditë është; kur do e rrëzoni Ramën, si do ta rrëzoni Ramën. Dua të jem i qartë. Unë dua ta rrëzojmë tani dhe kjo mund dhe do te të arrihet vetëm në një mënyrë: duke i bërë njerëzit për vete, duke ju ngjallur atyre besimin tek ne, që do t’i sjellë ata rreth nesh. Sa më shumë shqiptarët të bashkohen rreth nesh, aq më shpejt do bjerë Edi Rama. Nëse njerëzit do të kenë shpresë tek ne, Edi Rama do të rrëzohet edhe formalisht, pasi moralisht dhe politikisht ka rënë me kohë. Ne kemi një rrugë për t’u përballur me këtë, është rruga e angazhimit të të gjithë qytetarëve, e bashkimit të të gjithë qytetarëve, për t’i dhënë fund kësaj fasade. Ka marrë një goditje fatale nga lëvizja studentore, duhet të marrë tani një goditje përfundimtare nga qytetarët e bashkuar”.

Kur foli për bashkim nuk la mënjanë edhe ftesën për këdo që dëshiron të japë kontributin e tij në Partinë Demokratike.

“Partia Demokratike është një parti e hapur dhe i mirëpret të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e jona, të gjithë ata që duan ndryshimin, të gjithë ata që duan të kontribuojnë për të ndryshuar njëherë e përgjithmonë këtë lloj politikbërje në Shqipëri. Por kurrë Partia Demokratike nuk do të jetë strehë për kriminelë e trafikantë.”

Nisja e protestave dhe rrëzimi i Kryeministrit Rama ishin edhe dy nga vendimet që pas rikonfirmimit në detyrë i bëri nënkryetari Paloka.

“Këshilli ngarkoi strukturat drejtuese të PD-së të merren me organizimin e protestave në mbarë vendin me një qëllim të vetëm: Rrëzimin e qeverisë dhe të Edi Ramës. Pas rrëzimit të qeverisë Rama, është një qeveri tranzitore kalimtare e cila do të merret me realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.”

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike zgjodhi gjithashtu që Arben Ristanin, i cili mbante postin e Sekretarit të Përgjithshëm të drejtojë pas propozimit të Bashës, Komisionin e Apelimit. Në vend të tij u zgjodh me votë Gazmend Bardhi. Çlirim Gjata do të jetë Sekretar për Çështjet Ligjore, Sahit Dollapi Sekretar Organizativ, Ivi Kaso për Çështjet Zgjedhore dhe Ervin Minaroli u zgjodh Sekretar për Burimet Njerëzore, ndërsa vijon numërimi i votave për kryesisë së re.

Këshilli Kombëtar zgjodhi edhe 15 anëtarët që i bashkohen kryesisë së re së demokratëve.

Tv Klan