“Ukraina stacioni i parë i Rusisë”

Samitin për Ukrainën të zhvilluar këtë të mërkurë në kryeqytetin shqiptar, ministri i Jashtëm i RMV e cilëson si ngjarjen e vitit për rajonin, teksa thekson se tregon mbështetjen e Europës Juglindore për Ukrainën. Sipas Osmanit, ky vend është vetëm stacioni i parë i Rusisë.

Në një intervistë në studion e Opinion, Bujar Osmani, ministri i Jashtëm i RMV e njëherësh kandidat për president i BDI, zbuloi mbrëmjen e kësaj të mërkure një atentat të dështuar ndaj tij në Transnistria, rajon që ndodhet në Moldavi e që kontrollohet nga Rusia. Bëhet fjalë për një ngjarje, siç tregon Osmani, të ndodhur vitin e shkuar, në kohën kur ai ishte atje si kryesues i OSBE.

Në Opinion, Osmani zbuloi se përveç planit për të sulmuar eskortën e tij, avioni më të cilin kthehej nga Moldavia në Shkup humbi kontaktet me radarët dhe u ul vetëm nëpërmjet koordinatave. Për ngjarjen në fjalë Osmani thotë se është informuar edhe NATO dhe se po bëhen hetime.


Bujar Osmani: Kujtoj që është ngjarja e vitit për rajonin, nuk është punë e vogël, që Europa Juglindore tregon një mbështetje njëzëri për Ukrainën, për shkak se Ukraina nuk lufton vetëm për vete. Ukraina është stacioni i parë i ambicies imperialiste ruse”

A mendoni që është realisht vetëm stacioni i parë?

Bujar Osmani: Kam parë intervistën e Putin. Ai ka humbur kontaktin me realiteti ditor, flet vetëm në kontekst historik. Tani ka edhe referendum në Transnistria. Është rajon në Moldavi, i cili është nën kontroll rus. Kam qenë edhe unë vitin e kaluar si kryesues i OSBE atje, bile kishte një tentim për atentat. Të nesërmen pas vizitës time, arrestohet një numër i madh i njerëzve, të cilët kinse kishin pretenduar sulm ndaj eskortës time, mirëpo e porositur nga Moldavia. Kjo ishte me qellim për të krijua një tension brenda. Kishte edhe një incident pastaj gjatë rrugës, ku humbet radari dhe ne kemi zbritur deri në Shkup me komunikim të drejtpërdrejtë.

Avioni ishte i juaji?

Bujar Osmani: Po i qeverisë së Maqedonisë. Pra nga Moldavia deri në Shkup ne nuk jemi identifikuar nga asnjë radar në tokë, por kemi zbritur vetëm me koordinata.

Humbi nga radari avioni?

Bujar Osmani: Me të gjitha kullat nga Moldavia deri në Shkup dhe ne kemi informuar edhe NATO-n dhe po bëhen hetime se çfarë ndodhi. Pasi në fillim mendohej mos ishte diçka me avionin tonë, por në fakt të nesërmen ishte gjithçka në rregull dhe nuk ka ndodhur më asnjëherë një gjë e tillë. Mirëpo këto hetime po bëhen./tvklan.al