E vendosur në Shupenzë të Bulqizës, Bujtina Troja po kthehet në një destinacion të preferuar për turistët vendas dhe të huaj, duke promovuar mikpritjen dibrane, gastronominë tradicionale dhe potencialin e turizmit rural. Historia e këtij investimi dhe roli i tij në zhvillimin e ekonomisë lokale u trajtuan në pjesën e parë të emisionit Pro Business në TV Klan.

E mbështetur nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), Bujtina Troja është një shembull se si investimet në zonat rurale mund të krijojnë mundësi të reja ekonomike dhe të tërheqin vizitorë drejt destinacioneve jashtë qendrave të mëdha urbane.

Gjatë reportazhit, menaxheri Emin Xhediku prezantoi ambientet dhe shërbimet e bujtinës, e cila ofron dhoma akomodimi për çifte dhe familje, hapësira të gjelbra, një fermë të vogël me shpendë e kafshë, pishinë të jashtme dhe ambiente për relaksim në natyrë. Me një koncept që ndërthur pushimin me përvojën rurale, bujtina mirëpret vizitorë gjatë gjithë vitit, ndërsa fundjavat, sipas menaxherit, shoqërohen shpesh me kërkesë të lartë dhe rezervime paraprake.

Një nga pikat më të forta të Trojës është gastronomia tradicionale dibrane. Menuja mbështetet te produktet e zonës dhe bashkëpunimi me fermerët vendas, duke sjellë në tryezë gatime karakteristike si flija, buka e misrit, djathi, gjiza me speca, turshitë, tava e Trojës dhe jufkat e famshme të Dibrës, të shoqëruara me pulë fshati. Në këtë mënyrë, ushqimi kthehet në një pjesë të rëndësishme të përvojës turistike dhe në një lidhje të drejtpërdrejtë me traditën dhe prodhimin vendas.

Sipas Xhedikut, ideja për krijimin e bujtinës lindi nga nevoja për të sjellë një shërbim të tillë në zonë, ndërsa emri Troja lidhet me trojet e trashëguara nga gjyshërit. Për të, zhvillimi i infrastrukturës rrugore ka qenë një faktor i rëndësishëm në nxitjen e investimeve dhe në rritjen e interesit për Dibrën. Mbështetja financiare nga AZHBR-ja ka luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në realizimin e projektit.

Potenciali i këtij investimi u vlerësua edhe nga eksperti i turizmit Riges Beqiri, i cili theksoi se Troja ka sjellë standarde të mira në akomodim, mikpritje dhe gastronomi, duke krijuar një pikënisje për turistët që duan të eksplorojnë më tej zonën. Sipas tij, suksesi i bujtinës dëshmon se turizmi mund të zhvillohet edhe në zona rurale larg qendrave urbane, duke nxitur interesin për sipërmarrje të ngjashme.

Përtej akomodimit, Bujtina Troja po kontribuon në krijimin e një zinxhiri ekonomik lokal, ku përfitojnë edhe fermerët dhe prodhuesit e zonës. Ajo dëshmon se ruajtja e traditave, përdorimi i produkteve vendase dhe investimi në mikpritje mund të kthehen në një mundësi konkrete për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë rurale në Dibër.

/tvklan.al