52 shtetas grekë që morën pjesë në varrimin e Kostandinos Kaçifas në Bularat, janë shpallur “Non Grata” nga Ministria e Brendshme.

Vendimin e marrë pak orë pasi këta shtetas hodhën parulla anti-shqiptare dhe bllokuan rrugën Gjirokastër – Kakavijë, e bëri publike vetë ish –zëvendësministri i Brendshëm, Sandër Lleshi.

“Ministria e Brendshme e Republikës së Shqipërisë, në plotësim të përgjegjësive kushtetuese, atyre ligjore si dhe të përcaktimeve të normave të marrëdhënieve ndërkombëtare, bazuar në nenin 9 të Ligjit nr. 108/2013, “Për të huajt”, i ndryshuar; në mbrojtje të interesave të rëndësishme shtetërore që lidhen me sigurinë kombëtare; në funksion të ruajtjes së pacënuar të marrëdhënieve ndërkombëtare të vendit dhe konkretisht të marrëdhënieve miqësore me Republikën e Greqisë; e angazhuar për të mbrojtur e garantuar në çdo aspekt të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri  dhe praninë e çmuar, historikisht harmonike të këtij minoriteti në gjirin e familjes shqiptare; e ndërgjegjshme për historinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe të ardhmen e përbashkët të shqiptarëve dhe grekëve si kombe me përkatësi dhe përgjegjësi të rëndësishme për familjen e kombeve evropiane; duke e konsideruar të papranueshëm, provokimin sa vulgar, aq edhe të rrezikshëm që iu bë dje shtetit shqiptar e qytetarëve të tij pa dallim, nga individëve e grupe të caktuara të ardhura nga Greqia, të cilët shpërdoruan respektin tonë ndaj normës tradicionale shqiptare të hapjes së dyerve të një familjeje në zi dhe e kthyen një ritual përbashkues varrimi, në një shfaqje të patolerueshme ekstremizmi, ka vendosur:

Shpalljen persona të padëshiruar në vendin tonë, të 52 personave të shtetësisë greke, për veprimtari të organizuar në dëm të sovranitetit të Republikës së Shqipërisë dhe shfaqje e deklarata sfiduese ndaj rendit kushtetues, sigurisë kombëtare dhe qetësisë publike të këtij vendi”.

Ky është numri më i lartë i shtetasve të huaj të shpallur persona “non grata” në Republikën e Shqipërisë.

44 nuk do të lejohen të hyjnë në Shqipëri për 10 vjet. 8 të tjerë për 15 vjet. Për 11 u regjistrua procedim penal dhe hetim në gjendje të lirë për kalim të paligjshëm kufiri, nxitje të urrejtjes e grindjes dhe shpërndarje të parrullave që synojnë cenimin e tërësisë territoriale të Shqipërisë.

Gjithashtu po verifikohen edhe veprimet e disa pjesëmarrësve të tjerë.

“Këta njerëz dhe të tjerë, që po analizohen nga forcat tona të sigurisë lidhur me shfaqjen e djeshme ekstremiste në fshatin Bularat, nuk do të lejohen të hyjnë më në këtë vend, për periudhën e parashikuar në ligj.

Askush nuk duhet ta marrë urtësinë tonë për dobësi dhe asnjë i huaj nuk mund të shkelë pa u përballur me pasojat, ligjin dhe traditat e mikpritjes së këtij vendi”.

Të shpallurit non grata, disa prej të cilëve ekstremistë të organizatës të rinjtë e Vorio Epirit, erdhën në mënyre të organizuar në Shqipëri nga Athina, Livadhjaja, Igumenica e disa qytete të tjera, për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të 35 –vjeçarit që mbeti i vrarë gjatë një shkëmbimi zjarri me forcat speciale të policisë.

Parullat e hedhura ishin të tilla si “sëpata dhe zjarr qenëve shqiptarë” apo “Bularati është Greqi”.

Policia nuk iu përgjigj provokimeve të tyre, për të mos krijuar incidente, për t’ia lënë vendin përgjigjes së dhënë nga Ministria e Brendshme, me vendimin e së cilës, asnjë prej 52 personave nuk do të mund të hyjë më në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Tv Klan