Kryeministri Janev: Mosmarrëveshja me Shkupin të mos transferohet në BE

Kryeministri i qeverisë teknike bullgare, Stefan Janev ka dhënë shenja tërheqjeje nga qëndrimi i deritanishëm ndaj Maqedoninë e Veriut duke deklaruar se mosmarrëveshja mes dy shteteve fqinje nuk duhet që të transferohet në BE. Reflektimi bullgar vjen pas presionit në rritje nga Brukseli dhe Uashingtoni sepse vetoja bullgare krahas Maqedonisë së Veriut po mban peng për negociatat edhe Shqipërinë. Sipas kryeministrit Janev, interesi kombëtar bullgar lidhet gjithashtu me interesin e kombeve të tjera në BE.

“Bullgaria duhet të përqendrohet në dialog dhe kontakte të vazhdueshme, me autoritetet në Republikën e Maqedonisë Veriore për të kërkuar një zgjidhje në emër të së ardhmes sonë të përbashkët. Ne nuk duhet të varrosim të kaluarën, por të kërkojmë një zgjidhje në të ardhmen”.

Pretendimet bullgare janë dëgjuar mjaft mirë si nga pala maqedonase ashtu edhe nga partnerët e saj evropianë. Sipas kryeministrit bullgar, pas fundit të Nëntorit, pas zgjedhjeve lokale në Maqedoni dhe atyre parlamentare e presidenciale në Bullgari dialogu do të fitojë kuptim të ri.

“Bullgaria dëshiron një dialog normal, ajo dëshiron të ndalojë gjuhën e urrejtjes, si dhe edukimin për urrejtjen ndaj Bullgarisë. Ai gjithashtu dëshiron të ndalojë qëndrimin e keq ndaj njerëzve me vetëdije bullgare në Maqedoninë Veriore. Kështu, këto gjëra do të zgjidhen dhe formula e duhur do të gjendet, ndaj shpresoj që kjo të ndodhë në të ardhmen e afërt”.

Deklaratat e Janev vijnë në prag të samitit slloven për Ballkanin Perëndimor ku liderët e BE-së do të diskutojnë të ardhmen evropiane të rajonit.

Klan News