Problemet për Maqedoninë e Veriut në rrugën drejt integrimit nuk kanë të mbaruar pasi Bullgaria do të mbajë zgjedhje të tjera parlamentare më 9 Qershor. Vetoja bullgare kundër Shkupit për negociatat me BE-në është në fuqi që nga viti 2020.

Qeveria e re teknike bullgare e Dimitar Glavçev me 19 ministra në përbërje ka marrë zyrtarisht detyrën pas ceremonisë së betimit të mbajtur në parlamentin vendas.

Për shkak të paqëndrueshmërisë politike të vazhdueshme në vend, qeveria e kryeministrit Glavçev do të jetë qeveria e shtatë që merr detyrën në Bullgari në tre vitet e fundit.

Më parë këtë muaj, ish-ministrja e Jashtme Mariya Gabriel dështoi që të formonte një qeveri pas dorëheqjes së kryeministrit Nikolai Denkov.

BE e ka lënë të hapur mundësinë që Shqipëria të ecë e vetme në rrugën e negociatave, pasi ndryshe nga Maqedonia e Veriut, ajo i ka përmbushur të gjitha kushtet për hapjen e kapitujve të pare të anëtarësimit.

Klan News