Nëse nuk i përmbahet kornizave për fqinjësinë bllokon negociatat

Memorandumi me të cilin Bullgaria paralajmëron se mund ta bllokojë integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE, devijon nga korniza, respektivisht nga parimet mbi të cilat është bazuar marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë. Kështu ka deklaruar Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili nënvizoi se vendi nuk do të tërhiqet nga marrëveshja, por se ekzistojnë linjat e kuqe për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe shtetërore. Ai nënvizoi se ditët e fundit ka biseduar me homologen bullgare, Ekaterina Zaharieva dhe se janë dakorduar që dallimet sërish t’i vendosin në korniza, ndërsa komisionet, larg ndikimeve politike, do të vazhdojnë me punë për të vërtetuar faktet historike.

“ Kemi strategji, e dimë se çfarë po bëjmë. I kemi linjat e kuqe në mbrojtjen e interesave tona kombëtare dhe shtetërore, unë qëndroj fuqishëm në mbrojtjen e atyre interesave. Neni dy i marrëveshjes parasheh qartë se Bullgaria do të mbështesë eurointegrimet e Maqedonisë së Veriut, çdo tërheqje është shkelje e marrëveshjes.”

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani i shpalosi prioritetet e politikës së jashtme në mandatin e ardhshëm katër vjeçar.

 “Marrëdhëniet me fqinjët për të ndërtuar bazat e një miqësie të qëndrueshme dhe afatgjate, e dyta fillimi i negociatave me BE-në dhe vendosjen e një sistemi për zhvillim politik të negociatave sipas metodologjisë së re. E treta pjesëmarrja në stabilitetin rajonal si një partner i sinqertë dhe i qëndrueshëm i SHBA-së dhe BE-së me qëllim të ndihmesës dhe kontributit tonë në mbylljen e konteksteve rajonale me prioritet ato ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit…”

Osmani theksoi më tej se do të jenë të fokusuar në adresimin e sfidave globale, do të prezantojnë përvojat pozitive, pasi siç theksoi ai, shtetet tjera presin proaktivitet nga Maqedonia e Veriut për trajtim të sfidave globale siç janë ndryshimet klimatike, migracioni, ekstremizmi i dhunshëm dhe rreziku nga pandemia.

Klan Plus