Bumble kombinon IA, Tinder paralajmëron përdoruesit/ Çfarë po ndodh me aplikacionet e takimeve


Bumble kombinon IA, Tinder paralajmëron përdoruesit/ Çfarë po ndodh me aplikacionet e takimeve

19:31 06/02/2024

Aplikacionet e takimit po i japin një rëndësi të veçantë sigurisë së përdoruesve duke ndërmarrë masa që ndërveprimi mes përdoruesve të jetë sa më transparent dhe i përshtatshëm.

Bumble do të përfshijë një opsion që funksionon me Inteligjencën Artificiale i cili është dizenjuar për të identifikuar profilet e rreme. Deception Detector synon të veprojë mbi përmbajtjet e dëmshme përpara se përdoruesit t’i shohin.

Në testim, rezultoi që detektori mund të bllokonte automatikisht 95% të llogarive të identifikuara si të rreme. Brenda dy muajve, Bumble vuri re se raportimet e përdoruesve për këto llogari u reduktuan me 45%.

Prezantimi i Deception Detector erdhi për shkak se një kërkim i brendshëm i platformës tregoi që profilet false dhe rreziqet prej tyre janë shqetësimet kryesore të përdoruesve në takimet online. Rezultatet treguan që 46% e grave shprehën ankth për autenticitetin e personave që njohin në këto aplikacione.

Ndërkohë, një tjetër aplikacion i famshëm, Tinder, po prezanton paralajmërimet për përdoruesit kur gjuha që ata përdorin është e papërshtatshme dhe duhet ta përmirësojnë. Përditësimi do të jetë i disponueshëm në rang global në javët në vijim dhe grupmosha që synohet janë përdoruesit 18-25 vjeç.

Paralajmërimet i përkasin tre kategorive: autenticitetit, respektit dhe përfshirjes. Tinder është shprehur se synon t’i adresohet sjelljeve si shtirja si dikush tjetër apo ngacmimi. Nëse një përdorues cenon rregullat, Tinder i dërgon një mesazh ku shpjegon sjelljen e papërshtatshme dhe i jep një shans për ta korrigjuar.Ekziston mundësia që llogaria të fshihet nëse përdoruesi shkel rregullin sërish./tvklan.al









Të ngjashme