Merkel

Parlamenti gjerman miratoi në një seancë të jashtëzakonshme nisjen e negociatave për planin e shpëtimit të Greqisë, me vlerë 86 miliardë Euro. Pro votuan 439 deputetë, nga 631 që ka Dhoma e Ulët.

Paketa u kundërshtua nga 119 deputetë, mes të cilëve 60 të Unionit Kristian Demokrat të Kancelares Angela Merkel. 40 deputetë abstenuan.

Përpara votimit, Kancelarja paralajmëroi “kaos” nëse Bundestagu nuk do të miratonte planin. Ministri gjerman i Financave, Volfgang Shojble u tha deputeteve se kjo është përpjekja e fundit për të përmbushur këtë detyrë jashtëzakonisht të vështirë.

Zv/Kancelari gjerman, Sigmar Gabriel i social demokratëve iu tha ligjvënësve se bisedimet për një “Grexit” ,tashmë i përkasin së shkuarës.

Pikërisht sot, Kancelarja gjermane mbushi 61 vjeç, megjithatë, atmosfera nuk ishte shume festive. Deputetët kundërshtarë të paketës kërkuan argumenta të fortë, për të bindur taksapaguesit, të cilët kanë kontribuar mjaftueshëm dhe nuk i besojnë më Qeverisë greke.

Një sondazh i publikuar të premten, tregoi se 49 % e gjermanëve nuk ishin pro çeljes së bisedimeve për planin e ri të shpëtimit me Greqinë.

Edhe parlamenti i Austrisë votoi të premten pro planit të shpëtimit, tashmë i mbështetur nga parlamentet e Francës dhe Finlandës.

Votimi në Gjermani vjen disa orë pas lajmit se bankat greke do të hapen të hënën, pasi Banka Qendrore Europiane rriti nivelin e fondit ekzistues të emergjencës. Ministrat e Eurozonës ranë dakort për t’i dhënë një hua ndërmjetëse prej 7 miliardë eurosh, Greqisë.

Tv Klan