Zbardhen rolet, kolumbianët u futën në Shqipëri ilegalisht

Dhjetëra përgjime ambientale dhe telefonike ku flitej për fitimet që do të sillte lënda narkotike dhe planin e trafikut, si dhe fotografi të takimeve zbërthyen sipas Prokurorisë së Posaçme, grupin që organizoi sjelljen e 430 kilogramëve kokainë nga Kolumbia në Shqipëri.

Këtë të shtunë 10 të arrestuarit u lanë në qeli pa afat nga gjyqtari Erjon Bani dhe u dërguan në paraburgim me të njëjtat masa të larta sigurie, siç u sollën në Gjykatë.

Rolin e financuesit të veprimtarisë, SPAK ia ka ngarkuar shtetasit Nikolin Gjolena, i cili prej nisjes së hetimeve ka qenë në përgjim ambiental.

Ndërkohë që sipas hetuesve Viktor dhe Zenel Çervanaku kanë siguruar ambientin dhe nëpërmjet hapjes së një shoqërie private, bënë edhe porosinë e 26 ton pleh kimik për të kamufluar trafikun e kokainës.

Përgjimet dhe ndjekjet sipas Prokurorisë kanë treguar se të hetuarit e tjerë  kanë bashkëvepruar për lëvizjen dhe sigurimin e lëndës narkotike.

Edhe pse Prokuroria thotë se ka të dokumentuar aktivitetin kriminal, të hetuarit pretenduan se ata nuk janë të lidhur me trafikun e drogës. Nikolin Gjolena nëpërmjet avokatit i tha Gjykatës së nuk ka asnjë lidhje dhe malli është porositur nga persona të tjerë.

Nga ana tjetër mbrojtja e familjes Çervanaku dhe te hetuarit e tjerë i thanë gjykatës së nuk ka asnjë akt ekspertimi për sasinë e kokainës mes plehut kimik, nëse është apo jo, duke mohuar të kenë porositur atë.

Në dosjen hetimore thuhet se nga përgjimet dhe vëzhgimet ambientale është konstatuar edhe prania e dy shtetasve kolumbianë, të cilët dyshohet të jenë futur në Shqipëri ilegalisht. Të dy ata dyshohet se ata do të kryenin procesin e ndarjes së kokainës nga plehu kimik.

Tv Klan