Gjykata e Elbasanit ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për Luis Gaxhin dhe Rigers Spahiun të arrestuar nga policia, pasi dyshohet se po planifikonin të kryenin një vrasje. Sipas bluve të Elbasanit një eksponent i njohur i botës së krimit ishte objektiv i ekzekutimit të planifikuar, që do të kryhej me armët e zbuluara në banesën e 32-vjeçarit Gaxhi.

Në një lidhje direkte me edicionin e lajmeve në Tv Klan, gazetari Merin Maçi ka dhënë më shumë detaje në lidhje me këtë ngjarje.

Merin Maçi: Nga një informacion i marrë në rrugë operative, uniformat blu kanë mbërritur në banesën e Luis Gaxhit, ku në çatinë e shtëpisë së tij është zbuluar arsenali i armëve. Lidhja që është bërë me Rigers Spahiun vjen për shkak të miqësisë dhe lidhjes shoqërore që kishte Lusi Gaxhi dhe Rigers Spahiu, ky i fundit person i cili do të kryente ekzekutimin dhe ishte ideator i planifikimit të vrasjes që do të ndodhte në qytetin e Elbasanit.

Shkak janë bërë hasmëritë e vjetra që Rigers Spahiu kishte në këtë qytet përsa kohë që është i afërm i Arjan Spahiut të ekzekutuar në 2020-ën në Bruksel si dhe i Everest Çakës të vrarë në 2021-shin në Elbasan. Ky i fundit nga hetimet ka rezultuar jo bashkëpunues me autoritetet duke refuzuar të hapë dhe telefonin celuluar në të cilin dyshimet janë se fshihet dhe foto i objektivit të ekzekutimit që po planifikohej nga këto 2 persona, Luis Gaxhi dhe Rigers Spahiu.

Strukturat hetimore të policisë do të përqendrojnë vijimsinë e hetimeve dhe në dëshminë e dhënë nga i penduari i drejtësisë në operacionin “Plumbi i artë”, Nuredin Dumani, i cili ka treguar për këtë hasmëri që Arjan Spahiu, i vëllai i Rigers Spahiut kishte në qytetin e Elbasanit, por edhe hasmëritë e Everest Çakës, një tjetër të afërmi të Spahiut që është ekzekutuar në këtë qytet. Dëshmitë e tyre, por edhe informacionet dhe provat materiale që do të dalin nga telefonin celular i Rigers Spahiut, ndoshta mund të çojnë grupin e hetimit në identifikimin por edhe në konkretizimin e personit që ishte objekti i këtij ekzekutimi dhe pse jo të vënë në pranga dhe persona të tjerë të implikuar.

Luis Gaxhi nuk është një emër i panjohur për drejtësinë, pasi rezulton të jetë i dënuar Belgjikë për trafik droge.

Ndërkohë i arrestuari tjetër, Rigers Spahiu i cili u vu në pranga në rolin e bashkëpunëtorit rezulton të jetë i afërm i Ardjan Spahiut, të ekzekutuar në Bruksel në vitin 2020.

U kapën me arsenal armësh, burg për 2 të arrestuarit