Tre drejtorët e Autoritetit Rrugor, të arrestuar nga Prokuroria si përgjegjës për aksidentin në aksin Plepa – Kavajë, ku humbën jetën dy fëmijë të mitur do të qëndrojnë në burg. Gjykata e Kavajës është bindur nga provat e sjella nga Prokuroria, e cila i akuzon zyrtarët për shpërdorim detyre.

Në bazë të hetimeve të deritanishme, Drejtori Juridk i ARRSH –së, Dritan Fejzo, nuk ka marrë masat për të vënë në zbatim vendimin e Gjykatës së Apelit Administrativ, e cila detyronte këtë institucion të vendoste parmakët mbrojtës në vendin ku ndodhi aksidenti.

Bib Gjomakaj, Drejtori Rajonal i Autoritet Rrugor Tiranë, nuk ka marrë masat për vendosur sinjalistikën dhe rritjen e cilësisë rrugore në vendin e ngjarjes së rëndë.

Zyrtari tjetër, Lek Tushaj, me detyrë Drejtor i Sigurisë Rrugore në ARRSH, ka shpërdoruar detyrën pasi ka marrë në dorëzim rrugën, pa u plotësuar kushtet e sigurisë dhe pa u vendosur sinjalistika e duhur.

Prokuroria e Kavajës ndërkohë vazhdon hetimet, pas dyshimeve se në këtë skandal është  i përfshirë edhe Drejtori i ARRSH -së, Dashamir Xhika.

Prokuroria ka argumetuar në seancë se, nëse do të ishte zbatuar vendimi i gjykatës për t’u vendosur parmakët mbrojtës, bilanci i aksidentit nuk do të kishte qenë fatal.

Ky vendim i formës së prerë, jo vetëm nuk u zbatua, por një vit pas dhënies së tij, Autoriteti Rrugor Shqiptar i jep të njëjtës kompani një tender për mirëmbajtjen dhe vendosjen e parmakëve në të njëjtin segment.

PIENVIS ishte kompania e dytë me ofertën më të mirë.

Kompania me ofertën më të ulët, NIKA, është skualifikuar për shkak se nuk ka paraqitur dokumentacion që vërteton që ka në pronësi ose me qera, mjete për vendosje parmakësh metalike dhe për vijëzim me bojë, siç rezulton në dokumentet e tenderit.

Tv Klan