Për Safet Bajrin, përballja me Gjykatën nisi në Shkodër rreth ores 09:00 të mëngjesit. 34-vjeçari u njoh me masën e sigurisë me burg për llogari të drejtësisë belge, e cila e ka dënuar me 22 vite.

Në Belgjikë, Safet Bajri u dënua për trafik droge, shkatërrim prone, gjobëvënie dhe shfrytëzim prostitucioni. Më pas ai u transportua ne Tirane, ku iu bashkua grupit tjetër të të arrestuarve.

Pas seancës gjyqesore në Tiranë, për Safet Bajrin foli avokati i tij, që tha se klienti i tij po mbahet në burg vetëm për akuzen e trukimit të ndeshjeve sportive.

Gjyqtarja Ilirjana Olldashi nuk ndryshoi vendimin e marrë pak ditë më parë në mungesë për Fabiol Rexhepin, ish-portierin e ekipit të Tërbunit dhe Armir Grimajn, ish-trajner i kombëtares. Këta dy persona dyshohet se kanë fiksuar rezultatin e ndeshjes Vllaznia B- Tërbuni.

Në qeli kanë mbetur edhe Emrah Plaku, Ilir Bajri dhe Astmer Bilali, edhe këta pjesë e grupit, të arrestuar për armëmbajtje pa leje. Ende nuk janë përballur me gjykatën Ismet Idrizi, Denis Brajoviç dhe Klaudio Hoxhalliu, edhe këta pjesë e të njëjtit grup kriminal.

Ndërkohë, në Holandë janë arrestuar Behar Bajri dhe Samet Halluni, për të cilët kanë filluar procedurat e ekstradimit. Në kërkim mbetet Nelson Hysa dhe Enver Bajri. Ky i fundit, konsiderohet si drejtuesi i grupit.

Policia dyshon se ai fshihet në Belgjikë ose në Holandë, aty ku grupi merrej me trafikun dhe shitjen e drogës. Akuzat ndaj grupit Bajri janë të shumta. Disa dyshohen për vrasje, gjobëvënie, vrasje të mbetur në tentative dhe trafik narkotikësh.

Tv Klan