Nga denoncues në të akuzuar. Ky është fati i ish-prefektit të Shkodrës Paulin Radovani dhe dy djemve të tij. Gjykata e Shkodrës vendosi arrest me burg në mungesë për djemtë Elton e Berti Radovani. Kurse për vetë Paulin Radovanin u caktua masa e sigurisë detyrim paraqitje, e cila do të jetë e vlefshme deri në përfundim të hetimeve.

Gjykata e Shkodrës e ka ndaluar Radovanin të udhëtojë jashtë shtetit, por dy djemtë e tij janë larguar para se të arrestoheshin 12 persona të akuzuar si pjesëmarrës në një skemë fajdesh.

Kërkesa është bërë nga prokuroria e cila përveç grupit, nisi hetimet kryesisht dhe akuzon familjen Radovani për mashtrim financiar, pavarësisht faktit se në këtë skemë ata janë viktima.

Radovani ishte personi që denoncoi i pari fenomenin. Në Shkodër familjet mund të zgjidhnin problemet financiare duke paguar 20 për qind në javë të shumës së marrë borxh.

Në grupin e fajdexhinjve, rezultojnë të përfshirë notere, avokate dhe një efektiv i policisë.

Operacioni i koduar “Maranaj” u bë në orët e para të mëngjesit, të 14 marsit, kur forcat Speciale nga Tirana zbarkuan në Shkodër në një aksion blitz dhe 11 persona u vunë në pranga gjatë kontrollit në 22 banesa. Një tjetër u kap teksa tentoi të arratiset drejt Kosovës.

/abcnews.al