Gjykata e Lezhës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Klevis Ndrecën dhe Daniel Gjeloshin, të dy të përfshirë në përplasjen e armatosur të ndodhur në Laç pak ditë më parë, ku humbi jetën Gerald Bitri dhe u plagosën katër persona të tjerë, mes tyre edhe një grua që shiste në rrugë.

Klevis Ndreca u paraqit personalisht në seancë për t’u njohur me masën, ndërsa Gjeloshi, i cili ndodhet në spital për shkak të plagëve, u përfaqësua nga avokati i tij.

Pas shqyrtimit të çështjes, gjyqtari vendosi të konsiderojë të ligjshëm arrestimin dhe vendosi t’i lërë ata në burg, për akuzat e “vrasjes” dhe “mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit”.

Nga hetimet paraprake rezulton se përplasja nisi pas një konflikti banal në trafik, ku automjetet e të rinjve preken në pasqyra. Ata ranë dakord të sqarohen në një rruge tjetër, por takimi degjeneroi në përdorim armësh.

Tv Klan