Burg për policin Toçi që vrau ish të dashurin e Marsida Qatjas

Foto: Majtas Bledar Toçi, nga e djathta viktima Dritan Haxholli
Posta

Burg për policin Toçi që vrau ish të dashurin e Marsida Qatjas

11:47 13/10/2019

Bledar Toçit, shefit të sigurisë së brendshme të burgut të Durrësit, iu komunikua masa e sigurisë “arrest në burg” për vrasje me dashje.

Ai ndodhet i shtruar në spitalin e Durrësit, pasi mbeti i plagosur nga përleshja me armë me Dritan Haxhollin.

Në spital, Bledar Toçi ruhet nga dy oficerë policie. Hetuesit kanë dyshime nëse Bledar Toçi e qëlloi për vetëmbrojtje 41-vjeçarin Dritan Haxholli.

Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të 10 Tetorit në Kavajë në banesën e Marsida Qatjas. Viktima Dritan Haxholli, i cili më parë ka pasur lidhje intime me Marsida Qatjan, shkoi në banesën e kësaj të fundit i armatosur me kallashnikov.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, mendohet që Haxholli kishte dyshime se Marsida kishte krijuar lidhje me Bledar Toçin dhe këtë të fundit do ta gjente në banesën e 31-vjeçares. Ai hyri në apartament nga dera kryesore dhe aty u përball me policin e burgjeve, Bledar Toçin, me të cilin kishte njohje të mëparshme.

Haxholli qëlloi në drejtim të tij duke e plagosur me një plumb kallashnikovi Bledar Toçin, kurse ky i fundit reagoi duke e qëlluar me pistoletën e shërbimit. Dy plumba i morën jetën Dritan Haxhollit. Në vendngjarje grupi hetimor mblodhi 1 gëzhojë kallashnikovi dhe 17 gëzhoja të pistoletës së Toçit. Ky i fundit u ka thënë hetuesve se reagoi për vetëmbrojtje.

Edhe Marsida Qatja, e cila dyshohet se është shkaku për krimin e pasionit, ka deklaruar se Dritan Haxhollit iu bllokua kallashnikovi pasi në të kundërt ai do të vriste të gjithë. Reagimin e Bledar Toçit, të cilin thotë se e ka mik, e konsideron heroik dhe në media deklaroi se “ai duhet të ngrihet në detyrë”. /tvklan.al


Reklama
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
UKT

Grupi