Gjykata greke ka lënë në burg 45-vjeçarin shqiptar, që i vendosi flakën gruas së tij duke e spërkatur me benzinë. Ngjarja ndodhi përpara disa ditësh në qytetin e Kalamata në Greqi.

Prokurori i çështjes i komunikoi në spital vendimin e arrestit në burg, për shkak se 45-vjeçari mbeti edhe vetë i lënduar nga flakët e zjarrit.

Shqiptari ka shprehur pendesë për veprimin e tij dhe pohoi para hetuesve se tentoi të vriste gruan pasi dyshonte se e tradhtonte. Ai pretendoi se dëshironte t’i jepte fund edhe jetës së tij në të njëjtën mënyrë.

Në momentin që ndodhi ngjarja, dy fëmijët e tyre nuk ndodheshin në banesë. Pas një debati mes çiftit, 45-vjeçari spërkati gruan me benzinë dhe i vendosi flakën. Kanë qenë banorët e pallatit të cilët njoftuan policinë dhe zjarrfikësen, pasi vunë re se nga dritarja e katit të 5-të të banesës së familjes shqiptare po dilte tym.

Gruaja 39-vjeçare mundi të shpëtonte falë ndërhyrjes së zjarrfikësve, të cilët bënë të mundur shuarjen e flakëve. Ajo ndodhet në spital në gjendje kritike për shkak se ka pësuar djegie të rënda. /tvklan.al