Burgim i përjetshëm për 3 shqiptarët që vranë avokatin grek

Posta

Burgim i përjetshëm për 3 shqiptarët që vranë avokatin grek

13:25 11/10/2019

Gjykata greke ka dënuar me burgim të përjetshëm tre shqiptarët që vranë avokatin e njohur Mixaleis Zafeiropoulos. Prokurori, i cili kishte kërkuar të njëjtin dënim, tha se autorët kishin shkuar me paramendim për ta vrarë avokatin, dhe se pretendimi i tyre që donin thjesht ta frikësonin nuk është i vërtetë.

“Për mendimin tim ata kishin shkuar me paramendim për ta vrarë. Është pretendim i rremë varianti që thjesht donin ta plagosnin. Nëse do të donin ta plagosnin, nuk do ta qëllonin viktimën në gjoks nga një distancë e afërt”, tha prokurori i çështjes.

Mikel Brahimaj, vrasësi i avokatit Zafeiropoulos, u dënua me burgim të përjetshëm dhe 11 vite burg për dy akuza të tjera, vjedhje e grabitje me armë.

Dy shqiptarët e tjerë të akuzuar në këtë çështje, Oldi Dulçe dhe Klodian Lekocaj, u dënuan gjithashtu me burg përjetë. Klodian Lekocaj (i konsideruar nga shtypi grek si kreu i “mafias shqiptare” në Koridhalo) dhe Oldi Dulçe vuajnë dënimin prej disa vitesh në burgun e Koridhalos për vepra të tjera penale. Ata u akuzuan si dy nxitësit për vrasjen e avokatit grek, ndërsa Mikel Brahimaj ishte në rolin e ekzekutorit. Ky i fundit kishte shkuar në zyrën e avokatit Zafeiropoulos së bashku me shqiptarin tjetër Aleksandro Mata, i cili vijon të jetë në kërkim. Mata ka folur disa herë nga arratia dhe ka mohuar përfshirjen në vrasje.

Bashkëshortja e avokatit të ndjerë, e cila ishte e pranishme në sallën e gjyqit, u shpreh e kënaqur me vendimin e dhënë ndaj tre shqiptarëve, por tha se “asgjë nuk do ta rikthejë Mixaleis Zafeiropoulos”.

Avokati u vra në zyrën e tij në Athinë më 12 Tetor 2017. Prokuroria greke, e cila ka zbardhur rastin, tha se vrasja është kryer për gjobëvënie. Shqiptarët donin të shantazhonin avokatin Zafeiropoulos që përfaqësonte biznesmenin Aristidis Floros, për të zhvatur shuma të konsiderueshme parash.

Aristidis Floros është në burg prej disa kohësh pasi është dënuar me 21 vite si ipërfshirë në tentativën për të vrarë një avokat tjetër në vitin 2014. Aristeidis Floros është një biznesmen grek, që sipas mediave në Athinë, ka dijeni për aktivitetin kriminal të mafies së burgut të Koridhalos, të përfshirë në vrasjen e avokatit Mixaleis Zafeiropoulos dhe tentativës për vrasjen e avokatit tjetër Giorgos Antonopoulos. /tvklan.al


OTP
Reklama
Grupi
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
AZHBR
UKT
Grupi
UKT