Aktori i njohur kanadez Ryan Grantham është dënuar së fundmi me burgim të përjetshëm, pasi u deklarua fajtor për vrasjen e nënës së tij, Barbara Uejt, në vitin 2020.

24-vjeçari u deklarua fajtor për vrasje të shkallës së dytë, nga Gjykata Supreme e Kolumbisë britanike në Vankuver. Ai pranoi krimin duke pohuar se e kishte qëlluar me armë zjarri nënën e tij, në pjesën e pasme të kokës,  ndërsa ajo luante piano në shtëpinë e tyre dhe më pas e kishte filmuar atë.

Sipas mediave të huaja, 24-vjeçari ka qenë në paraburgim për dy vite e gjysmë. Gjatë gjyqit, avokatët e tij u shprehën se ai kishte luftuar me ankthin dhe depresionin klinik dhe donte të vriste veten si dhe të dëmtonte të tjerët, para vrasjes së nënës së tij.

Sipas vendimit të gjykatës, ai nuk do të ketë të drejtë për lirim me kusht, për 14 vitet e para të dënimit të tij.

Kujtojmë se Ryan e ka nisur karrierën e tij si aktor që fëmijë, duke marrë pjesë në një sërë filmash të njohur. Në  vitin 2010 ai luajti në filmin “Dajri Of A Uimpi Kid” ndërsa në vitin 2019 ai luajti në dramën e adoleshentëve  “Riverdëll”.

Klan News