Një ngjarje sa e pazakontë aq edhe absurde ka ndodhur në Egjipt. Një gjykatë ka dënuar me burgim të përjetshëm një 4 – vjeçar për akuzën e “vrasjes”, të kryer kur ishte vetëm 1 – vjeç.

Ahmed Mansour Kami nuk u paraqit në gjykatë të enjten, kur ai u dënua për akuzën e vrasjes, tetë tentativa vrasje, shkatërrim të pronës dhe disa vepra të tjera të rënda, të gjitha të kryera para ditëlindjes së tij të dytë.

Ahmed ishte një prej 115 të pandehurve, të cilët u dënuan të gjithë me burgim të përjetshëm, nga një gjykatë në perëndim të Kajros, për krime që pretendohet se i kanë kryer në fillim të 2014 – ës.

Siç shkruan britanikja “The Independent”, vetë avokati i 4 – vjeçarit mësohet të jetë shprehur se në fakt emri i tij është përfshirë gabimisht në listën e të pandehurve dhe trupi gjykues nuk ia kaloi gjykatësit çertifikatën e lindjes së Ahmedit, që të provohej se ai kishte lindur në Shtator të 2012 – ës.

Ai tha se çertifikata e fëmijës iu paraqit autoriteteve pasi emri i tij u shtua nga forcat e sigurisë në listë, por më pas çështja i kaloi gjykatës ushtarake dhe fëmija u dënua në mungesë, që tregon se gjykatësi nuk e ka lexuar çështjen.

Një tjetër avokat tha se kjo çështje tregoi se në Egjipt nuk ka drejtësi.

Që prej rrëzimit të regjimit të Mohammed Morsit, në 2013 – ën, Egjipti është nën drejtimin e diktaturës ushtarake të Presidentit Abdel Fatah al – Sisi.

Të paktën 40, 000 mbështetës së opozitës janë aktualisht në burg. /tvklan.al