Ish kapoja i Vlorës Myrteza Caushi i njohur me emrin Zani, u dënua sot me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Faktit Vlorë. Vendimi dhënë nga trupi gjykues i kryesuar nga Gjykatësi Simo Kolagji, u shoqërua me një reagim të ashpër nga ana e Zanit të cilin forcat e policisë e larguan menjëherë nga salla duke mos e lënë madje të takohej dhe me familjarët. Akuza ndaj Zanit i cili prej 6 muajsh u gjykua për ngjarjen e ndodhur me 1 Korrik të vitit të kaluar në lokalin e vëllezerve Shehu në Vlorë, ku ngelën të vrarë Robert Shehu dhe daja e tij, Luan Bedini si dhe shoku i Zanit i njohur me pseudonimin Luçiano, ishte e shumëfishtë.

Ai u cilësua nga trupi gjykues si person me rrezikshmëri të lartë me akuzën e vrasjes së dy personave, bashkëpunim në vrasje në fitim nëpërmjet kërcënimit dhe për armëmbajtje pa leje. Tre ditë më parë këtë masë e kërkoi dhe prokuroi i çeshtjes Përparim Kulluri gjë e cila u kundërshtua nga avokatët mbrojtës duke këmbëngulur në pafajësinë e klientit të tyre. Si dhe herë të tjera, seanca e sotme u realizua në masa të rrepta sigurie ndërkohë që masa të shumta speciale shoqëronin Zanin i cili udhëtonte nga qelitë e komisariatit të Fierit dhe një makinë të blinduar të Policisë.

Pas një maratone prej 20 seancash të zhvilluara në 6 muaj të të mirënjohurit Zani, do t’i duhet të presë vendimin në shkallë të tjera të gjykimit ndërsa është duke vuajtur një dënim prej 3 vitesh i dhënë dy muaj më parë. Por vetëm disa momente pasi Zani ka dalë nga Gjykata, kushëriri i tij dhe pikërisht djali i xhaxhait, Arben Caushi 26 vjeç, është plagosur nga dy plumba automatiku.

Arbeni po shkonte në shtëpinë e tij në rrugën që të çonte në lagjen “Cole” ku është qëlluar nga dy automatikë nga xhamat me makinën në ecje e sipër sot rreth orës 14:00. Vetëm fati e ka shpëtuar atë pasi është goditur nga dy plumba por pa rrezik për jetën. Sipas policisë së Vlorës pista e vetme është hakmarrja ndaj vetë Zanit. Pak kohë më parë Zanit i janë vrarë dhe dy vëllezërit./tvklan.al

Gazetar: Eduart Frangaj