Shifrat dhe raportimet mediatike janë një tregues i qartë i situatës së rëndë që po ndodh me shqiptarët në burgjet greke. Në harkun kohor të 1 viti janë regjistruar 6 shqiptarë të vrarë në burgjet e Greqisë. Dhe këtu nuk janë llogaritur të burgosurit shqiptarë që kanë kryer vetëvrasje apo rastet kur vdekjet kanë qenë të dyshimta.

Burgu i Koridhalos, më famëkeqi në Greqi, është institucioni ku vuajtja e dënimit është kthyer në një arenë të përgjakshme të larjes së hesapeve mes të burgosurve, ku të dënuarit kontrollojnë nga qelitë trafikun e drogës jashtë burgut dhe diktojnë veprimtari të tjera kriminale. Kurse gardianët e këtij burgu bëjnë “sehir”. Ministria greke e Drejtësisë është vënë në shënjestër të mediave të Athinës për neglizhencën që po tregon ndaj burgut të Koridhalos, që po “i nxin faqen” vendit.

Disa muaj më parë, në Nëntor 2018, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg tërhoqi vëmendjen për dhunën e ushtruar ndaj të burgosurve shqiptarë dhe atyre bullgarë në burgjet greke. Për këtë arsye, Greqia u gjobit me 110 mijë Euro për keqtrajtimet që u bëhen të dënuarve.

Së fundmi, opinioni publik në Greqi është tronditur pas publikimit të përgjimeve të fenomenit të ashtuquajtur “Mafia e burgut të Koridhalos”. Klodian Lekocaj, një i burgosur shqiptar në Koridhalo, përflitet në shtypin grek si personi që është në krye të “Mafies së burgjeve”. Shumë vrasje në Athinë janë bërë me urdhër nga “Mafia e burgjeve” dhe që mediat greke i kanë vendosur emrin “kontratat e vdekjes”.

Shumë të burgosur shqiptarë, por edhe grekë, janë pjesë e “Mafies së burgjeve”. Disa prej tyre janë ekzekutuar me urdhër nga lart nga frika se mos “pendoheshin” dhe u tregonin hetuesve grekë kush fshihet prapa “kontratave të vdekjes”.

I tillë është edhe rasti i Arbër Bakos. Ai u vra në burgun e Koridhalos nga dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve shqiptar. Bako ka qenë i përfshirë në disa ngjarje kriminale dhe mendohet se ishte pjesë e “Mafies së burgjeve”. Por frika se mos fliste me hetuesit, i kushtoi atij shtrenjtë.

Vetëm gjatë muajit Janar 2019, në burgun e Koridhalos janë vrarë dy të burgosur shqiptarë. I fundit që humbi jetën është një 29-vjeçar në burgun e Trikalas, i cili u qëllua me thika nga dy të burgosur rusë më 1 Maj.

1 Maj 2019 – Një 29-vjeçar shqiptar vritet në burgun e Trikalas. Gjatë një përleshje, dy të burgosur me origjinë ruse e qëlluan me thika të improvizuara në gjoks dhe në këmbë.

27 Janar 2019 – Në burgun e Koridhalos vritet Bardhyl Tusha i njohur edhe me emrin Bandiol Tusha. Ai u gjet i pajetë në qeli dhe fillimisht u dyshua se kishte humbur jetën nga përdorimi i mbidozës. Por ekspertiza mjeko-ligjore doli në konkluzion se Bardhyl Tusha ishte mbytur në qeli.

14 Janar – Arbër Bako vritet në burgun e Koridhalos. Vrasja e tij është filmuar nga kamerat e sigurisë në korridoret e burgut, ku duken dy persona që e godasin vazhdimisht me thika të improvizuara, teksa Bako përpiqej t’u largohej. Ai u dërgua në spital, por nuk mbijetoi.

27 Dhjetor 2018 – Gëzim Shekaj 33 vjeç nga Vlora gjendet i varur në qelinë e spitalit psikiatrik të burgut të Koridhalos. Një i afërm i tij tha se 33-vjeçarit i ishin injektuar gjilpëra.

25 Nëntor 2018 – Një 35-vjeçar shqiptar u gjet i vdekur në qelinë e tij në burgun e Trikalas. Shkaqet janë mister.

8 Shtator 2018 – Në burgun e Koridhalos vritet shqiptari Franc I. 31 vjeç.

Kujtojmë se më 27 Mars 2014 në burgun e Malandrinos u vra Kudret Kume apo Ilia Kareli, i cili ishte viktimë e një torture çnjerëzore nga gardianët.

/tvklan.al