Policia nuk humbi kohë dhe rreth tre orë pas vetëdorëzimit në Drejtorinë e Tiranës e shoqëroi deputetin Ervin Salianji në burgun e Fierit, aty ku do të vuajë dënimin me 1 vit të dhënë nga Gjykata e Apelit për kallëzim të rremë.

Pak pas orës 20 të mbrëmjes, makina me të cilën udhëtonte Salianji mbëriti në ambientet e burgut, ndërsa në hyrje të tij ndodhej vetëm deputeti demokrat Luan Baçi, i cili kishte dalë për ta mbështetur.

Saliani vendosi të mos i shmangej vendimit të gjykatës dhe t’i qëndronte deri në fund denoncimit të bërë 6 vite më parë.

Nga selia e PD-së teksa u nis për tu dorëzuar në policia theksoi se betejën me regjimin do ta bëjë edhe nga qelia.

“Do të jetë një betejë që shpresoj të frymëzojë të gjithë qytetarët. Vendosim sakrificën, qoftë kjo duke sakrifikuar lirinë për të vërtetën, sepse e vërteta nuk ka çmim dhe në fund e vërteta do triumfojë, ashtu si do triumfojë edhe opozita.”

Në hyrje të Drejtorisë së Policisë, Salianjin e prisnin dhjetëra simpatizantë demokratë, pavarësisht se PD nuk pati thirrur tubime. Edhe nga këtu, ai theksoi lufta kundër pushtetit ka sakrificat e veta.

“Asnjë sakrificë nuk shkon dëm, padiskutim që secili merr kostot e veta. Shumë qytetarë dhe demokratë kanë vuajtur represionin e qeverisë. Ne do t’i çmontojmë banditët dhe dita e demokratëve dhe qytetarëve do vijë.”

Menjëherë pas kësaj deklarate, Salianji u përshëndet me mbështetësit PD-së dhe u vetëdorëzua në ambientet e policisë së Tiranës.

Më herët, Salianji në një konferencë për mediat bëri të ditur së bashku me kryetarin e grupit parlamentar kishin firmosur një kërkesë-padi drejtuar SPAK-ut për hetim pasuror ndaj ish-ministrit të brendshëm, Fatmir Xhafajt. Ai paralajmëroi se do të ketë një tjetër kallëzim penal, kësaj here në emër të Partisë Demokratike kundër kryeministrit Edi Rama për manipulim të provave në procesin qe solli dënimin e tij me burg.

Tv Klan