Gjykata ka vendosur 20 ditë burg, i mbajti të izoluar për një vit e gjysmë

“I mbaja të mbyllur në shtëpi pasi kisha frikë për fëmijët dhe doja t’i mbroja”, kështu ka deklaruar para gjykatës 35-vjeçari J. Zh. Pasi dëgjoi dëshminë e tij, gjykata vendosi ta lërë në burg për 20 ditë nga 30 që kishte kërkuar prokuroria.

U vendos që ai t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar gjendjen e shëndetit mendor. Ky vendim u mor dhe pas dëshmisë së bashkëshortes së tij, e cila i ka dalë në mbrojtje 35-vjeçarit. Ajo kërkoi që bashkëshorti të shtrohet në spitali për tu kururar.

Avokati i J. Zh. , Edison Hasanbasha: Bashkëshortja ka shpjeguar më tepër që të ndihmohet ai duke u kryer një akt ekspertimi për t’ju rikthyer jetës bashkëshortore, pra për tu kuruar. Nuk ka thënë asnjëherë bashkëshortja që është dhunuar në mënyrë sistematike. Ata kanë pasur një bashkëshorti shumë të mirë, thjesht kohët e fundit ndoshta për shkak të ngarkesës psikologjike nuk e dimë shkakun nga se mund të ketë ardhur. Dhe nëse do të vazhdojë akoma masa e sigurisë “arrest me burg” pasi nëse do të dali i papërgjegjshëm për vëprimet e tij do të zëvëndësohet masa nga “arrest në burg” në atë të shtrimit të përkohshëm në spital psikiatrik.

35-vjeçari akuzohet për dhunë në familje dhe shkaktim të vetëvrasjes, pasi prej më shumë se 1 viti mbante të mbyllur në banesë dy fëmijët, 3 dhe 9 vjeç, bashkëshorten dhe nënën e tij.

Ai kishte vendosur kamera brenda banesës, në derën e saj dhe në fasadën e pallatit. Gjithashtu nëpërmjet një bllokuesi valësh, u kishte hequr mundësinë të afërmve të komunikonin me telefon.

Nëna e 35-vjeçarit ka treguar përpara oficerëve të policisë se i biri prej 1 viti ka shfaqur shqetësime. Ajo ka treguar se J., ankohej se dëgjonte zhumra në muret e banesës. Nisur nga gjendja e rënduar, nëna i ka kërkuar disa herë të mjekohet, por ai nuk ka pranuar.

Klan News