“Grupi në mënyrë unanime sugjeroi ngujimin pa afat dhe pa ndërprerje të të gjithë deputetëve të grupit parlamentar të PD-së”, ishte kjo deklarata e Gazment Bardhit.

Pavarësisht vendimit unison të grupit parlamentar për të mos njohur atë që quajnë vendim politik të Edi Ramës, vetë Ervin Salianji i ka dalë kundër kolegëve të tij duke ju mbajtur deklaratave se do të përballej me atë që e quan regjim dhe do të vetëdorëzohej për të pranuar vuajtjen e dënimit.

Gazment Bardhi: Në këtë rast, ne jemi të detyruar të respektojmë vendimin personal të deputetit Ervin Salianji.

Por pas burgosjes së Salianjit, demokratët kanë vendosur t’i rikthehen bllokimit të parlamentit.

Gazment Bardhi: Nga ky moment, nuk ka për të pasur asnjë marrëdhënie normale, institucionale me shumicën. Kërkesat e PD-së janë rikthimi i kushtetutshmërisë në vend, lirimi i çdo të burgosuri politik.

Sipas kryetarit të grupit parlamentar demokrat, përveç Edi Ramës, për të cilin do të nisin protestat masive në 6 Tetor për ta rrëzuar nga pushteti, selia blu nga dita e djeshme ka shpallur armiq dhe 3 gjyqtarët që dhanë vendimin e dënimit me 1 vit burg për kallëzim të rremë.

Gazment Bardhi: Secili prej tyre, nga sot është armik i PD-së dhe do të trajtohet si pjesë e organizatës kriminale që drejtohet nga Edi Rama.

Demokratët, vuajtjen e dënimit të padrejtë, sipas tyre ia njohin si sakrificë në emër të luftës kundër krimit të lidhur me pushtetin e Ramës kolegut të tyre, aq sa sot ndihen të gjithë Ervin Salianji.

Gazment Bardhi: Do të jemi të gjithë Ervin Salianji, pa diskutim!

Tv Klan