Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 44 shtetase të huaja nga Amerika Latine për ushtrimin e prostitucionit, ka arrestuar 8 persona, mes të cilëve edhe punonjës policie dhe ka shpallur në kërkim 3 të tjerë. Si organizatore policia thotë se ka identifikuar shtetasen kolumbiane G. R., e cila drejtonte aktivitetin nga Kolumbia dhe shtetasin shqiptar E. S.
Sipas hetimeve, ata bashkëpunonin me shtetaset E. M. dhe A. B. (punonjëse policie) për akomodimin dhe përshtatjen e ambienteve.
Por a është vërtet ky fenomen problem për shoqërinë shqiptare apo duhet që Shqipëria ta dekriminalizojë prostitucionin si shumë vende anëtare të Bashkimit Europian ku duam të aderojmë me ngut?
Shqipëria, si shumë vende të tjera, përballet me këtë fenomen. Ai është një realitet, i cili as mund të fshihet e as mund të luftohet me operacione policore. Shembuj të shumtë nga vende të Europës e dëshmojnë këtë.
Duke parë që policia, në vend që të fokusohet tek kriminelët e vërtetë, bandat, vrasësit, hajdutët apo të korruptuarit, merret me disa vajza të huaja që ofrojnë seks në Shqipëri, pyetja që lind është: A nevojiten vërtetë të tilla operacione policore apo duhet një qasje më liberale dhe rregulluese ndaj kësaj industrie?
Dekriminalizimi apo legalizimi i prostitucionit ka qenë një debat i hapur në mbarë botën.
Vende si Holanda e Gjermania e kanë legalizuar dhe rregulluar këtë sektor, duke garantuar të drejtat e punëtorëve të seksit, mbrojtjen e tyre shëndetësore dhe sigurinë ligjore.
Ndërsa në disa vende të tjera europiane, ai mbetet i paligjshëm, por nuk ndiqet penalisht me arrestime masive të vajzave të seksit.
Ines Xhelili, nga Rrjeti i Fuqizimit të Grave, thotë se ka ardhur koha për ta dekriminalizuar.
“Në qoftë se është profesion i zgjedhur lirisht edhe sa i takon të drejtave të njeriut patjetër që nevojitet dekriminalizim, por edhe për faktin që nëse viktimat janë shfrytëzuar njëkohësisht ne jemi pro dekriminalizimit sepse nuk mund të dënohet ajo që është viktimë”, tha ajo.

Madje kreu i Shkollës së Magjistraturës, ish-kryeprokurori Arben Rakipi ka propozuar një nismë ligjore për legalizimin e prostitucionit.
“Duam s’duam ne, rrethanat në këtë vend kanë ndryshuar. Ky lloj fenomeni duhet shtyrë në këtë strukturë ligjore shtetërore që të bëhet i pranueshëm. Ajo që duhet respektuar është e drejta e gruas apo dhe burrave ta shijojnë vetë trupin e tyre, të mos shfrytëzohen”, tha ai.

Ndërsa në Evropë qasja ndaj këtij fenomen po bëhet gjithnjë e më e butë dhe liberale, operacione të tilla e bëjnë Shqipërinë të krahasueshme me vende si Republika Islamike e Iranit apo vende të tjera me qasje të rrepta morale dhe fetare.
Në këtë kontekst, a duhet Shqipëria të ndjekë rrugën e shteteve progresive, apo të mbetet e mbyllur ndaj realitetit të tregut të seksit? Dhe a nuk duhet që vajzat që duan ta përdorin trupin e tyre me dëshirë të kenë mundësinë ta bëjnë? Nëse një grua vendos ta shesë trupin e saj, a duhet ta ndalojë shteti, apo duhet ta rregullojë dhe monitorojë, ashtu siç bën me sektorë të tjerë?
Por pavarësisht të gjithave, në shumë vende europiane ku ky fenomen nuk është i legalizuar, vajzat që merren me këtë profesion nuk futen në burg.
Arrestime të tilla hapin një debat më të gjerë për qasjen e Shqipërisë dhe tregojnë se ka ardhur koha që shoqëria shqiptare të vlerësojë një model të ri, ku ky fenomen të trajtohet si pjesë e ekonomisë dhe shoqërisë dhe të mos vijojë të penalizojë një realitet që ekziston dhe nuk mund të zhduket me operacione policore, sikundër asnjë vend europian nuk ka mundur ta zhdukë dot.
Shumë vende të botës e kanë lejuar këtë fenomen për të nxitur në veçanti turizmin, një degë e rëndësishme e ekonomisë.
Edhe në Shqipëri turizmi ka përjetuar një bum të madh vitet e fundit. Një nga atraksionet e padeklaruara të turizmit, ashtu si në vende të tjera është edhe industria e seksit.
“Po shtohet në mënyrë të ndjeshme numri i personave që vijnë në Shqipëri për t’u shfrytëzuar dhe trafikuar, nga shtete të ndryshme duke përfshirë edhe vende të Azisë”, tha Xhelili.
Shembuj si Kuba, tregojnë qe edhe pse ligji nuk e lejon atë, prania e tij joformale nuk ndikon negativisht në imazhin turistik të vendit.
Tv Klan