Ernest Mata, ka denoncuar në “Stop” se ka mbi një vit, që kërkon të çregjistrojë biznesin e tij ushqimor. Ai thotë, se i ka shlyer të gjitha detyrimet, por biznesi nuk i mbyllet nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve Tiranë.

Kam mbi një vit e ca që dua ta mbyll, por nuk e mbyll dot. Kam një biznes ushqimor dhe dua ta mbyll pasi kam probleme familjare. Nuk ka asnjë detyrim, i kam paguar të gjitha detyrimet në shtet. Nuk veprojnë tatimorët që të mbyllin biznesin tim”, thotë Mata.

Ai shprehet më tej se e ka bërë rrugën Tatime-QKB, disa herë përgjatë një viti, por sërish asnjë rezultat.

Procedura që kam ndjekur për të mbyllur biznesin ka filluar me ekonomistin, më pas kam shkuar tek takimet për të dorëzuar letrat dhe kam shkuar tek QKB-ja dhe pas që biznesi është hapur dhe më thanë që të shkoja tek Tatimet. Më pas shkova tek Tatimet, por biznesi nuk është mbyllur ende. Kam një vit e gjysmë me këtë problem nuk di më çfarë të bëjë”, shton qytetari.

Nëpërmjet kamerës së fshehtë së “Stop”, vetë qytetari i drejtohet Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Tiranë.

Qytetari: Si kalove?

Specialistja: Mirë! Si kalove?

Qytetari: Erdha prapë unë!

Specialistja: Tek Dori, tek ai djali atje!

Qytetari: Tek cili?

Specialistja: E gjeta atë ditë, ia lashë, tani nuk e di e ka fut sekretari?

Qytetari: Domethënë, drejt ë..?

Specialistja: Po, po drejt!

Qytetari: Domethënë, djathtas ë…?

Inspektorja e zonës e drejton për tek sekretari i Drejtorit, mirëpo drejtori ende s’e ka firmosur dhe për të disatën herë, Ernestit i kërkojnë të kthehet pas disa ditësh.

Qytetari: Si kalove? Mirë?

Sekretari: Mirë!

Qytetari: Për mbylljen e biznesit tim, që kam ardhur shumë herë këtu, e s’më bëhet gjë.

Sekretari: Kush e ka?

Qytetari: Kjo goca këtu!

Specialistja: Atëherë, deri sot…maksimumi nesër, e çojmë për në Postë, pasnesër…

Qytetari: Nuk vij ma, se jam ba i shpis!

Specialistja: S’ka gjë! Sa janë si puna jote! Se ky (drejtori) po i vonon shumë. E pe si ishin?

Qytetari: Po në rregull, por…

Specialistja: Se duhej të ishte bërë këto dy javë fare. E kanë të gjithë këtë problem. Këtu ka gjëra më me urgjencë, dhe akoma s’po mbyllen! Po, pasnesër shko tek QKB-ja, me atë numrin, që të kam dhënë unë.

Qytetari: Mos ta bëjmë përditë, pas dy ditësh, pas dy ditësh…

Specialistja: Jo, pra! Jo, pa merak!/tvklan.al