Programi “Historia ime”, në Tv Klan solli ditën e sotme historinë e vështirë të babait të dy fëmijëve, Lazim Latifi. Ai tregoi se si një aksident e ndryshoi jetën e tij.

Atë natë kur ndodhi aksidenti, ai kishte kaluar një ditë shumë të keqe, që fillimisht nisi me debate me pronarin e shtëpisë ku banonte dhe për të vijuar pastaj me problemet me makinën.

U detyrua që për të shkuar në punë, të merrte motorin e mikut të tij, por kur po kthehej nga puna për në shtëpi, një makinë e përplasi.

Drejtuesja e mjetit ishte një femër dhe Latifi shprehet se policia rrugore dhe eksperti rrugor bënë një falsifikim të aksidentit.

Mirela Milori: Le të flasim pak për natën e aksidentit!

Lazim Latifi: Nata e aksidentit vjen nga një ditë e stresuar, gjithë ditën. Për shkak se në ambientin ku ishim më përpara me qira patëm disa këndvështrime dhe disa përplasje. Makinën ma prishën në mëngjes, dikush ma prishi, edhe nuk kisha mundësi ta hapja çelësin e derës dhe të lëvizja. Atëherë një shok ma dha motorin që të lëvizja për punën dhe duke patur motorin tim, e përdorja rehat se ishte me kamio automatike dhe lëvizja më mirë. Isha në punë dhe pak para orës 11 të natës kthehesha në shtëpi. Duke qenë edhe i stresuar atë ditë dhe ndodhi si një ëndërr ai aksidenti, për shkak se rruga është në zonën që quhet Kristal, tek qendra Kristal. Makina tjetër vinte në krahun e majtë timin, që është një rrugë dytësore dhe normalisht ti kur shikon, je në kryqëzim dhe vjen një makinë në krahun e majtë duhet të ndalonin. Fatkeqësisht në Shqipëri patentat, shumica i kanë si i kanë dhe mos të kesh patentë, nëse di t’i japësh, i di rregullat e qarkullimit rrugor duhet t’i japësh respekt në krahun e djathtë. Këtu shpeshherë shohim që edhe këmbësorët nuk i respektojnë rregullat.

Mirela Milori: Po çfarë ndodhi në atë moment?

Lazim Latifi: Në atë moment, makina nuk frenoi fare, duke mos më dhënë përparësi, unë isha në dalje të kryqëzimit fare, aty afër bëheshin edhe punimet e unazës të re, që janë tani. Më përplasi në këmbë, në atë moment nuk pata mundësi të ngre këmbën. Dhe më kapi këtë pjesën, ku këmba shpërtheu, njësoj si të kesh një dinamit. Nuk bëhej, por fat, Zoti që kisha kokoren, kisha veshur rrobat e motorit, xhupin, dorashkat dhe shpëtova. Hapa kokoren dhe kam lidhur këmbën vetë, me ndihmën e një çuni të ri që kishte lokalin aty.

Mirela Milori: Personi ishte?

Lazim Latifi: Është një vajzë, në atë kohë ishte, para 3 vjet e gjysëm ishte 27-28 vjeç.

Mirela Milori: U mbyll me mirëkuptim apo me ligj?

Lazim Latifi: Jo policia rrugore dhe eksperti rrugor bënë një falsifikim aty, për shkak se rrugës ku jam unë ka dhe një rrugë dytësore, që është e mbyllur faktikisht. Ata më nxorrën mua tek rruga dytësore dhe duke më nxjerrë mua aty falsifikuan aksidentin./tvklan.al