Rita Tusha tregoi në emisionin “Stop” odisenë e saj për kujdestarinë për bashkëshortin dhe djalin, të cilët janë me probleme mendore.

“Fëmijën e kam 9 vjeç, me prapambetje mendore të moderuar. Kam dhe burrin me çrregullim nervor. Për djalin marr 77 mijë Lekë, ndërsa për burrin 102 mijë Lekë. Unë kujdesem për të dy, por nuk marr kujdestari për asnjërin, sepse sipas ligjit nuk më takon”,

rrëfeu denoncuesja, e cila nuk ka mundur ta marrë kujdestari vetëm për 1 përqind.

Sipas certifikatës së aftësisë së kufizuar, djali i saj është i diagnostikuar me prapambetje mendore të moderuar dhe niveli i dëmtimit të aftësive funskionale është i rëndë, nga 51% deri në 90%.

Gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua Zyrës së Shërbimit Social në Njësinë Administrative numër 6, Kombinat, për t’u interesuar për këtë rast.

Specialistja Arikla Çela tregoi se aktualisht ndodhen në një sistem pilot, i cili ofron pagesa të ndryshme, në varësi të llojit të sëmundjes, kategorisë dhe moshës. 

“Vlerësimin e bën komisioni dhe është sistemi ai që bën përcaktimin e kësaj shume”,

shpjegoi ajo.

Më pas gazetarja sëbashku me denoncuesen dhe djalin e saj të sëmurë shkuan te Njësia e Pilotimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Social për të gjetur një zgjidhje.

“Të jemi të sinqertë sistemi bazohet në ato çfarë dërgojnë mjekët specialistë. Unë do t’i lutesha zonjës t’i drejtohet më shpesh mjekut specialist sepse një herë në vit ka shkuar“,

u shpreh kryetari i komisionit në I.S.SH, Vasil Seko. Ai premtoi se do ta ndjekin më përparësi këtë rast dhe do të bëjnë rivlerësimin e gjendjes së djali.

Ndërsa për sa i përket skemës së ndihmës ekonomike, specialistja Arikla Çela tha se Rita Tusha duhet të aplikojë si punëkërkuese e papunë.

Por kjo e fundit u shpreh se nuk mund të kërkojë punë, kur duhet të qëndrojë në shtëpi për t’u kujdesur për bashkëshortin dhe të birin.

“Duhet të vijë të aplikojë pas 6 muajsh, sepse me këtë arsye që e ka nxjerrë Zyra e Punës dhe deklaratën që ajo ka bërë, që nuk kërkon punë, i lind e drejta për të bërë aplikim sërish pas 6 muajsh, në bazë të ligjit të ndihmës ekonomike”,

shpjegoi specialistja e Zyrës së Shërbimit Social.

E vetmja gjë që mund të bëjë familja Tusha tani është pritja…/

tvklan.al