Pjesë e emisionit “Historia ime” në Tv Klan është bërë një grua 57 vjeç e cila nuk dëshiron që të zbulojë identitetin e saj para kamerave. Vajza e saj i ka dërguar një letër redaksisë së emisionit ku i rrëfen historinë prekëse të së ëmës dhe vuajtjet që ka kaluar ndër vite. Ajo është braktisur nga burri i saj kur fëmijët ishin të vegjël dhe është detyruar që t’i rrisë vetë pa ndihëm e askujt. Burri i saj punonte si kambist dhe fitonte goxha para, por nisi bixhozin dhe ta tradhtojë duke e shkatërruar kështu familjen.  

Ajo ka rrëfyer që problemet i nisën që kur jetonin me familjen e burrit në Cërik, ku dy motrat e tij ishin xheloze dhe flisnin keq për të dhe ai filloi të ndikohej nga ato. Më pas vendosën që të jetojnë në Elbasan, por dhe jetesa aty ka qenë e vështirë, aty filloi veset dhe pasi ngeli pa asnjë lekë ai udhëtoi drejt Greqisë…

Mirela Milori: Filluat jetën në Elbasan.

Gruaja: Në fillim ishte mirë, por filloi këto dy rrugët e tjera ai bixhozin dhe filloi të më tradhtonte. Punonte si kambist dhe ishim mirë, në ’97 ishim shumë mirë, kishim por filloi ai të niste këto rrugët dhe po e shikoja që po i binte leku. I thashë ke marrë dy rrugët më të këqija, i flisja.

Mirela Milori: Kur fillove ta ndjeje se gjërat nuk shkojnë më mirë?

Gruaja: Që kur ishim tek familja e vetë që po anonte nga ata. Kishte momente që sillej shumë mirë, kishte dhe momente që mbante anën e tyre.

Mirela Milori: Ku luante bixhoz?

Gruaja: Tek bingot.

Mirela Milori: Bëhej fjalë për shifra të vogla apo për bixhoz të rëndë?

Gruaja: Ai pati një dorë lekë të madh, por më thoshte me 100 lekë po hyj, unë po shikoja lekët dhe po pakësoheshin fare, filloi të merrte borxhe.

Mirela Milori: Sa zgjati kjo periudhë?

Gruaja: Pas ’97 ngeli pa kokërr leku. Mori borxhe 5-6 milion dhe jo për ushqime, të gjitha i çonte në bixhoz. Më pas mblidhi mendjen e tha që do ikte në Greqi, më dha 100 porosi, ruaji kalamajtë bëj këtë, bëj atë dhe unë thashë shyqyr. I thashë ik mos ki merak se jam unë këtu. Iku dhe prit se po sjell lekë, nuk sillte. Vinte kunati më linte 20 euro dhe i thoja unë po ai nuk të dha ndonjë lekë, i thashë tha po nuk ka lekë. Përkrahje nuk merrja se nuk ishte vendali dhe sipas ligjit nuk na takonte.

Mirela Milori: Sa vite qëndroi në Greqi?

Gruaja: 7 vite.

Mirela Milori: Në këto7 vite sa herë ka dërguar në shtëpi?

Gruaja: Asnjëherë. Për 7 vite nuk erdhi asnjëherë në Shqipëri dhe as fëmijët nuk i kishte parë.

Mirela Milori: Po në telefon flisnit?

Gruaja: Folëm vitin e parë, vitin e dytë i them do më sjellësh lekë apo të bëj divorc sepse më tha ajo e përkrahjes ti duhet të ndahesh që të të takojë ty. Unë i bëra të gjitha, ndërrova dhe lagjen, bëra dhe ndarjen sepse nuk më solli. Ai më tha do të të sjell por mos ma bëj ndarjen, prita 2-3 muaj, ai nuk mori as në telefon më dhe u ndava. /tvklan.al