“Nuk dua të ha lekun tënd – më tha”

35-vjeçarja, Brunilda Neziri rrëfeu ditën e sotme në programin “Historia ime”, në Tv Klan vështirësitë ekonomike në familjen e saj. Prej 14 vjetësh ajo është e martuar dhe ka 4 fëmijë. Bashkëshorti për shkak të shëndetit jo të mirë nuk mund të punojë dhe ajo që sjell të ardhura në familje është Brunilda.

Por situata e vështirë ekonomike është bërë shkak që bashkëshorti të braktisë familjen dhe të iki nga shtëpia.

Mirela Milori: Çfarë ndodhi se ka muaj që bashkëshorti juaj është larguar nga banesa.

Brunilda Neziri: Atij i ngeli hatri.

Mirela Milori: Si filloi e gjitha?

Brunilda Neziri: E gjitha filloi nga rroga ime.

Mirela Milori: Pra ishte dita që more rrogën.

Brunilda Neziri: Po ditën që mora rrogën. Më tha sa lekë ke marrë? 258 mijë lekë, i thashë kam marrë. Mirë tha, 50 po i çojmë tek banka. Unë i kisha marrë 20 mijë lekë zonjës së shtëpisë për bukë, se nuk kisha dhe i thashë po i japim dhe 150 mijë lekë, ndërsa për dritat thashë kismet. Ai tha dua të marr një rrjetë për të kapur zogjtë. Se me ashtu merrej me zogj, kapte zogj që i shistë ditën e shtunë. I thashë nuk kam, vetëm 20 mijë lekë do ngelen, sepse kam dhe borxhe të tjera për të larë, për rrobat e çunit që kam marrë. Atij i mbeti hatri.

Mirela Milori: U zutë pak?

Brunilda Neziri: Jo nuk bëmë llafe në ato momente. Kur të nesërmen, vjen ai në darkë ngrihem që t’i jap bukë dhe nuk hëngri dhe më tha nuk kam nevojë për lekët e tua. Pse i thashë? Nuk do të jetosh me ne? Si është kjo? Jo nuk dua të ha lekun tënd- më tha. Ditën e shtunë unë shkova tek njerëzit e mi, të dielën kur kthehem, ky nuk erdhi në shtëpi atë natë. Kam ndenjur deri në orën 1 e 30 duke e pritur dhe nuk erdhi.

Mirela Milori: Nuk u kthye në shtëpi atë natë?

Brunilda Neziri: Nuk u kthye në shtëpi. Kishte ardhur të nesërmen në mëngjes edhe pyes fëmijët. A erdhi babi? Po thanë është tek lokali, po rri atje. Mirë i thashë po erdhi babi thoji që të pret mami mbasdite, të më presë në shtëpi. I kishte thënë çuni i madh. Mirë i kishte thënë ai, do vij sa të takoj një shok. Erdhi ai. Hë çfarë ke-më tha? I thashë si e ke vendosur ti? Të jetosh me familjen apo…? Jo tha, unë do iki dhe do të lë dhe ty rehat. E sigurt është kjo i thashë? Po tha. Mirë nëse e ke vendosur, bëj çfarë të duash, por nuk e ke mirë kështu.

Mirela Milori: Edhe iku?

Brunilda Neziri: Po më iku. Mori rrobat dhe iku.

Mirela Milori: Ke folur me më të, jeni takuar?

Brunilda Neziri: Më erdhi një ditë në shtëpi, po unë nga nervat, nga acarimet që kisha, e mora e përzura. I thashë çfarë kërkon? Tha erdha të takoj kalamajtë. I thashë kalamajtë nëse do, takoji jashtë. Unë nuk të ndaloj nga fëmijët se je babai i tyre, por këtu brenda nuk ke punë. Ai iku dhe as me kalamajtë nuk foli./tvklan.al