Në emisionin Historia ime në Tv Klan gjatë sezonit të parë ka trajtuar dhe sjellë shpesh histori grash të divorcuara, të cilat mbeten të vetme në rolin e nënës, duke pasur nën përgjegjësinë e tyre të plotë, rritjen e fëmijëve., pa mbështjen dhe përgjigjen ndaj detyrimeve nga ana e babait të këtyre të fundit.

Por edhe më të rënda bëhen këto raste kur këto nëna e gjejnë veten tërësisht në udhëkryq, pa pasur as mbështetjen e familjarëve apo të afërmve të tyre dhe pa pasur as kushtet e përshtatshme fizike për të punuar dhe për të siguruar jetesën e fëmijëve të tyre.

I tillë është pikërisht rasti i një nëne që ka ardhur sot të rrëfejë historinë e saj në programin ‘Historia ime’ dhe për të kërkuar ndihmë ndaj institucioneve. Kjo nënë e dëshpëruar ka ardhur sot me besim, por dhe me frikën ndaj paragjykimeve të vendit ku jeton, ndaj ka këmbëngulur të mos e zbulojë identitetin e saj.

Bëhet fjalë për një 33-vjeçare e cila ka lindur në një fshat të Fierit, aktualisht banon në qytetin e Fierit. Ishte vetëm 15 vjeç kur u lidh me djalin i cili më vonë do të bëhej bashkëshorti i saj. Në vitin 2008 u martua, pa dëshirën dhe mbështetjen e familjes së saj.

Nga martesa e tyre sollën në jetë dy fëmijë, dy djem, të cilët sot janë përkatësisht 12 dhe 9 vjeç, dhe të dy janë nxënës në ciklin 9-vjeçar.

Bashkëshorti asnjëherë nuk ka qenë i përgjegjshëm si duhet ndaj saj dhe fëmijëve të tij. Ai luante bixhoz, punonte vetëm në të zezë kur mundej dhe nuk kishte një punë të qëndrueshme. Për shkak të sjelljeve të tij problematike ka qenë dhe në burg.

Në vitin 2012, 33-vjeçarja nuk duroi më dhe vendosi të divorcohej prej tij dhe pse ishte 8 muajshe shtatzënë me djalin e tyre të dytë. Por ajo e ka pasur gjithmonë të vështirë t’ia dalë e vetme, pasi ende sot nuk i ka marrëdhëniet e mira me familjarët e saj dhe nuk ka asnjë mbështetje.

33-vjeçarja: Dy vitet e para të martesës ishim shumë mirë, pastaj filloi të vinte baste në kompjuter, bixhoz, filluan sherret, ka qenë një ferr. Punonte dhe lekët që fitonte, i harxhonte. Pavarësisht problemeve qëndrova me të prap, ngela shtatzënë. Sikur u rregulluam, nuk doja që të ndaheshim. Filloi prap i njëjti problem dhe ika tek prindërit në muajin e 8 shtatzënë. Ai luante, hynte në borxhe, por dhunë jo, dhunë psikologjike më shumë. I jepja lekë me blerë diçka nuk ktheheshe më, i prishte. Pasi lindi djali i dytë tek prindërit, i solla fëmijët në qytetin e Fierit t’i shkolloja që të mos i lija në fshat. Pasi linda djalin ndenja 5 vite në fshat.

Mirela Milori: Gjatë këtyre viteve që qëndrove aty, a të kërkoi të ktheheshit?

33-vjeçarja: Po më kërkoi, por nuk u ktheva se ishte i njëjti se e dëgjoja që vazhdonte të luante. Nuk është i keq. Më ndodh që e shoh shpesh rastësisht nëpër rrugë, por tani ka kaluar e gjithë urrejtja që ndejeja apo dëshira për t’u vetëvrarë.

33-vjeçarja është shprehur se ka tentuar të vetëvritej kur ka qenë shtatzënë, por Zoti e ka shpëtuar atë, ndërsa tani i ka kaluar të gjitha këto probleme psikologjike. /Tvklan.al