Pjesë e emisionit “Historia ime” në Tv Klan, ka qenë Marisa Dosti 39 vjeç, nga qyteti i Beratit e cila ka rrëfyer historinë e dhembshme të jetës. Ajo u martua kur ishte 25 vjeç dhe pas 11 vitesh u ndanë sepse martesa nuk i shkonte aspak mirë. Ai e dhunonte psikologjikisht dhe fizikisht, ishte shumë xheloz dhe nuk punonte. Në fillim të martesës jetonin me prindërit e tij, më pas kaluan më vete.

Sollën në jetë dy fëmijë, një vajzë 15 vjeçe dhe një djalë 13 vjeç. Por situata sa vinte dhe rëndohej, dhuna shtohej dhe madje Marisa ka marrë dhe urdhër mbrojtjeje. Kanë 5 vite që janë ndarë me gjyq. Në këto 5 vite, babai i fëmijëve është takuar vetëm 2 herë me ta, dhe nuk është interesuar për ta, as ka mbajtur përgjegjësi ndaj tyre.

Ai ju ka dhënë vetëm një herë 1500€,madje dhe ato lekë ua ka dhënë fëmijëve duke iu kërkuar si kusht që nëna e tyre të kthehej me ta. Ajo jeton së bashku me fëmijët e saj në një shtëpi me qera në Berat. Të dy fëmijët i ka në shkollë.

Mirela Milori: Pas 11 vitesh vendose të divorcoheshe?

Marisa: Po. Në 2014 më ka vdekur vëllai dhe gjithmonë vija tek mami, se një vëlla të vetëm kishim, dhe në orën 6 e 30 më thotë ku ishe, se në 5 e 30 linim punën, punoja në ushqimore. I thashë unë tek mami, tek mami apo nëpër makina luksoze më tha. Tani s’ke më as vëlla, as baba që të të kontrollojnë, tani jam unë tha. Unë punoja nëpër shtëpi, nëpër firma private dhe çfarë merrja ai mi merrte i shiste. Atë nate ka përdorur një dhunë jashtë mase të madhe. Më ka hequr për floku zvarrë nëpër shkallët e pallatit sepse jetoja në katin e pestë.

Mirela Milori: Çfarë kishte përveç dhunës, filloi të pinte apo bixhoz?

Marisa: Nëse do pinte, do isha më e lumtura në botë. Por nuk kisha se çfarë t’i bëja kur nuk pinte dhe i kishte të gjitha ato.

Mirela Milori: Më the që merrte gjëra e i shiste, ku i shiste?

Marisa: I merrte, i qeraste njerëzit dhe kur i kërkoja llogari, ai fillonte dhunën. Kur kam lindur gocën, ka përdorur dhunë dhe ndaj mamasë time. Ma ka vënë shkelmin në grykë dhe ka përplasur dhe mamanë pas bufesë dhe ka rënë mamaja përdhe.

Mirela Milori: Ke shkuar në polici?

Marsia: Kam shkuar në polici, në Tiranë nuk kam shkuar se thoshte unë kam dhe s’ka njeri tjetër, se i kam të tërë njerëzit e ngritur, nuk ke se ç’më bën këtu. Nuk janë zhele siç janë njerëzit e mi, nuk janë qorra, se unë vëllain e kisha me syze, nuk janë qorra njerëzit e mi siç është vëllai jot.

Mirela Milori: Ti kaq frikë kishe dhe nuk kuptoje se janë kërcënime të një njeri të dëshpëruar, sepse një burrë që arrin të thotë këto gjëra është frikacak. Një burrë që arrin t’i thotë gruas këto gjëra dhe që ushtron dhunë, është frikacak.

Marisa: Nuk e denoncoja dot, edhe në tualet të vija, ai më vinte dhe ruante nga mbrapa. /tvklan.al