Pjesë e emisionit “Historia ime” në Tv Klan, ka qenë një grua e cila dëshiron të ruajë anonimatin, për të rrëfyer historinë e saj. Ajo është nga Bilishti por prej vitesh jeton në Tiranë së bashku me fëmijët e saj. 59-vjeçarja tregon se është ndarë nga bashkëshorti pasi ai luante bixhoz dhe e tradhtonte. Madje kur bënte furnizimin e marketit që kishte ai i vidhte lekë. Kështu ajo u detyrua të divorcohej dhe të shikonte jetën vetëm me fëmijët e saj.

Gruaja: Në vitin 2002 unë jam sëmurur rëndë, e kam prishur dyqanin dhe erdha të operohesha në Tiranë nga tëmthi dhe kam kaluar një trombozë atëherë, një sëmundje shumë e vështirë. Kam ndenjur 1 muaj këtu në spital, pa 6 muajve e mendova që duhet të filloja të punoja prapë sepse e shikoja që nuk po ia dilnim dot. Mora një dyqan afër shtëpisë në Bilisht, ishte dëborë dhe fillova të punoja prapë aty. Ishte shumë e vështirë për mua se nuk e kisha marrë veten mirë dhe puna shumë e vështirë derisa e kam ngritur. Pas 6 muaj që kisha filluar punë, filluan të më vinin njerëz që kërkonin borxhet që i kishte marrë burri, atëherë e mora vesh unë se çfarë kishte ndodhur. Isha e fundit që e mora vesh. Kishte luajtur shumë kumar dhe kishte marrë shumë borxhe.

Mirela Milori: Shifrat ishin të mëdha?

Gruaja: Shumë të mëdha për familjen tonë. Filloi të thyehej marrëdhënia avash avash. Atë nuk e gjenin asnjëherë atje dhe çdo gjë përplasej me mua. Ishte shumë e vështirë dhe e dhimbshme kur vinin më kërkonin lekët e marra borxh. Pas dy vitesh kemi ardhur në Tiranë, vajza ishte në shkollën e mesme.

Mirela Milori: Fole me të?

Gruaja: Fola sepse fillimi ishte që dyshoja për një tradhti, por kur filluan të dilnin të vërtetat e kuptova sepse vinte në shtëpi dhe binte përmbys, as hante, as pinte, as fliste, asgjë. Kur ka qenë goca në vitin e 4 kam dashur që atëherë të divorcohem dhe ti merrja fëmijët të vija në Tiranë. I mblodha të gjitha rrobat por nuk më vinte çuni në atë kohë dhe ndenja, ishte shumë i lidhur me të atin. Kur i ka dalë gocës e drejta për studim aty vendosa përfundimisht për të ardhur në Tiranë. I thashë nëse ti do të vish hajde, nëse nuk do të vish rruga ime është atje me fëmijët.

Mirela Milori: Sa vjeç ishte kur e more këtë vendim?

Gruaja: Isha 42 vjeç.

Gruaja tregon se pasi shkoi në Tiranë së dhe filloi hapi sërish një market. Burrin e caktuan si polic në Qafë Thanë.  Më pas gjërat për familjen filluan të bëheshin më keq, në mes hyri dhe distanca. Përveç kumarit, pati dhe tradhti nga ana e bashkëshortit. Ajo tregon se kur fejoi vajzën e thirri bashkëshortin dhe i tha që e ka derën e hapur dhe ishte dakort për një rikthim për hir të fëmijëve. 

Gruaja: Kisha nevojë për mbështetje, kush është ajo grua që nuk ka për mbështetjen e burrit. Vetë e mbaja dyqanin, furnizime në treg që në 4 të mëngjesit. Punoja 18 orë në ditë pëe 25 vite rresht pa kërkuar një ndihmë dhe mbështetje askujt. I thashë nëse ti do ndërrosh rrugë, duhet të shkosh të bësh ti furnizimet, unë të rri në dyqan, të gatuaj si grua në shtëpi.  E nisa për furnizimet dhe filloi t’i vidhte lekët prapë. Mirëpo me gruan që merrja furnizimet e kisha shoqe dhe ajo një histori të ngjashme me timen dhe shkoja merrja aty sa herë furnizimet. Më tha që kështu e kështu, kishte mbetur goxha lekë aty. Aty mora një vendim përfundimtar, kërkova ndihmë, hapa një gjyq, mora një avokate pa lekë. Ajo më ndihmoi dhe me një seancë mori fund martesa ime 30 vjeçare.

Mirela Milori: Vetëm bixhozi ishte në mes?

Gruaja: Kishte dhe gjëra të tjera.

Mirela Milori: Kishte ndonjë raport tjetër paralel?

Gruaja: Mendoj se po se më ka dalë një herë një grua në telefon. E kishte harruar një herë telefonin në shtëpi dhe e hapa. Ajo filloi të bërtiste, të më shante si grua rrugaçe. Ka pasur dhe gjëra të tjera. /tvklan.al