Burri i një gruaje shtatzënë, e cila u zhduk me dy vajzat, është arrestuar pasi thuhet se ka pohuar vrasjen e tyre.

Gjithçka ndodhi pasi ai u shfaq në një televizion kombëtar në SHBA, duke u lutur që bashkëshortja dhe vajzat e tij të ktheheshin në shtëpi.

Thuhet se Chris Watts 33 vjeç, rrëfeu krimin mbrëmjen e së mërkurës, pasi i tha më parë policisë dhe të gjithë vendit se nuk kishte dijeni se ku ndodhej bashkëshortja e tij Shanann Watts dhe vajzat Bella 4 vjeç dhe Celeste 3 vjeç.

Bashkëshortja 34-vjeçare ishte në javën e 15-të të shtatzënisë me fëmijën e tretë. Chriss i tha policisë se e kishte parë për herë të fundit Shanann ditën e hënë në orën 05 e 15 të mëngjesit, para se të nisej për punë në Frederick në Colorado.

Gruaja shtatzënë ishte kthyer nga një udhëtim pune në orën 01:00 të mëngjesit dhe sipas tij, ata qëndruan bashkë deri në mëngjes duke bërë atë që ai e quajti “bisedë emocionale”.

33-vjeçari më pas u shqetësua, pasi bashkëshortja nuk i përgjigjej mesazheve në telefon. Ai tha se paniku nisi kur një shok u shkoi në shtëpi, por nuk përgjigjej njeri.

Chris Watts u arrestua mbrëmjen e së mërkurës nga policia në Frederick, por nuk është akuzuar, pasi po kërkohet ende për trupat e gruas shtatzënë dhe dy vajzave.

Gjatë intervistës në një televizion, 33-vjeçari u shpreh:

“Nuk e ndiej që kjo është e vërtetë. Është si një makth që nuk mund të zgjohesh. Kur shkova në shtëpi dje, dukej si një qytet fantazmash. Ajo nuk ishte aty. Fëmijët nuk ishin aty. Nuk kam asnjë ide se ku mund të kenë shkuar”.

Por në një intervistë tjetër tha se dinte që bashkëshortja do të shkonte në shtëpinë e një mikeje, së bashku me fëmijët.

Sipas tij, ai u shqetësua kur Shanann nuk iu përgjigj mesazheve, ndaj dhe nxitoi në shtëpi dhe pa që makina e saj ndodhej e parkuar jashtë shtëpisë, por nuk kishte asnjë shenjë jete as nga ajo dhe as nga vajzat. Chriss lajmëroi policinë dhe plotësoi formularin e personave të humbur në orën 13:40. Ndërkohë që të gjitha sendet personale të Shananand, si telefoni, portofoli, lekët dhe dokumentet e identifikimit ndodheshin në shtëpi.

Por policia ka konstatuar se çifti Watts është arrestuar disa herë në Carolinën veriore, para se të transferoheshin në Colorado në vitin 2012./

tvklan.al