Emisioni “Historia ime” në TV Klan soli ditën e sotme historinë e një 43-vjeçari nga Tirana. Ai rrëfeu në studio se pas 18 viteve martesë me bashkëshorten, jeta e tyre mori një tjetër rrjedhë. Shkak për këtë u bë një borxh prej 200 mijë lekë të vjetra, që vëllai i gruas ia kishte marrë në vitin 2016.

Ata kishin rënë dakord që borxhi të kthehej në momentin që çifti i bashkëshortëve do kishte nevojë. Pas dy vitesh, ata menduan të kërkonin borxhin sepse kishin nevojë për ato të ardhurat për ndryshime në shtëpi. Por situata u përshkallëzua dhe arriti deri aty sa kunati goditi me thikë bashkëshortin e gruas.

Mirela Milori: Sa vjeç je?

Zotëria X: 43 vjeç!

Mirela Milori: Ke qenë i martuar për sa vjet?

Zotëria X: Rreth harkut kohor prej 18 vitesh!

Mirela Milori: Ke dy fëmijë?

Zotëria X: Po dy fëmijë, dy vajza!

Mirela Milori: Kur u martuat?

Zotëria X: Siç do çift që ka mënyrat e veta të njohjes. Unë jam njohur në vitin ‘99-2000. Paraprakisht martesa jonë mori një lidhje në vitin 2000. Nga kjo martesë lindën dy vajza.

Mirela Milori: Si kanë qenë vitet e martesë?

Zotëria X: Si çdo çift do thoja ka ato uljet dhe ngritjet e veta, domethënë secili ka ato problemet dhe hallet në familje, që mundohet në mënyrën më të mirë të mundshme t’i japë një zgjidhje. Historia është kjo, që mbas 18 vitesh që ne patëm një martesë me ato luhatjet e veta, po pa përfshirë pjesën e dhunës që nuk do ta fut fare se nuk e kam natyrën ashtu. Po ideja është kjo, që mori një rrjedhë tjetër jeta.

Mirela Milori: Kush e kërkoi divorcin?

Zotëria X: Divorci u kërkua nga të dy palët në të njëjtën kohë.

Mirela Milori: Një martesë pas 18 vitesh, çfarë ju shtyu të kërkoni divorcin të dy?

Zotëria X: Ajo që doja të thoja dhe është reale ajo që ka ndodhur është se për një vlerë monetare që unë do ta konsideroja të papërfillshme, vjen vëllai i gruas tek banesa që unë banoj dhe ka qenë ora rreth 23:00 e darkës.

Mirela Milori: Kur?

Zotëria X: Të datës 8 Korrik 2018. Edhe unë nuk e kuptova, nuk po e merrja vesh çfarë po ndodhte, se ndërkohë që dal nga banesa ime për të vajtur se kam ngjitur edhe shtëpinë e prindërve, aty nuk po ndjeja absolutisht asnjë gjë, vetëm ndjej që diçka në trupin tim nuk po funksiononte si duhej, se nuk e kuptoja. Ajo ishte domethënë thika e parë që u ngul në trupin tim.

Mirela Milori: Kunati ju goditi me thikë?

Zotëria  X: Po!

Mirela Milori: Si u arrit deri këtu? Cili ishte konflikti?

Zotëria X: Mendoj se ishte pjesa e vlerës monetare, që ata më detyroheshin mua.

Mirela Milori: Ju kishin borxh?

Zotëria X: Po borxh!

Mirela Milori: Sa?

Zotëria X: Rreth 200 mijë lekë të vjetra!

Mirela Milori: Të kishin borxh dhe të goditën. Kërkoje borxhin, ushtroje presion?

Zotëria X: Jo absolutisht, por vendosëm një dakordësi që borxhi të kthehej kur ne, kur unë dhe bashkëshortja të kishim nevojë për ato lekë. Erdhi një moment, kur ne menduam si çdo çift të rregullonim një pjesë të shtëpisë ku banonim, të ndërronim 1-2 mobilie të vogla dhe mendonim që ato lekë të na i kthenin mbrapsht.

Mirela Milori: Kur i mori kunati jot lekët borxh?

Zotëria X: Në 2016!/tvklan.al