29-vjeçari vret me thikë bashkëshorten dhe arratiset

Ishte ora 17:20 e pasdites së të mërkurës kur në urgjencën e Spitalit të Fierit mbërriti një telefonatë për një person të plagosur në fshatin Sheq i Madh.

Por kur mjekët mbërritën në banesë gjetën pa shenja jete 28-vjeçaren Irvana Medinaj, nënë e 2 fëmijëve të mitur.

Nga plagët u pa se ato ishin shkaktuar me një mjet prerës dhe për këtë mjekët njoftuan policinë. Uniformat blu morën dëshmitë e familjarëve të cilët rrëfyen se autor i vrasjes së nënës së re ishte bashkëshorti i saj, 29-vjeçari Demokrat Medinaj. Pas krimit ai është larguar dhe policia tha se është vënë në kërkim të tij.

Nga burime në vendin e ngjarjes mësohet se shkak i krimit të rëndë në familje është bërë një konflikt i çastit. Në debat e sipër 29-vjecari ka marrë thikën dhe ka qëlluar ndaj bashkëshortes.

Policia ka marrë dëshmitë e familjarëve ndërsa në pikat kyçe ka ngritur pika kontrolli në përpjekje për të ndaluar autorin.

Tv Klan